<b></b> Pamje: Trajnerja e shpëton notaren artistike, pasi asaj i kishte rënë të fikët në fund të pishinës

Pamje: Trajnerja e shpëton notaren artistike, pasi asaj i kishte rënë të fikët në fund të pishinës

23.06.2022 10:33

Notarja artistike amerikane Anita Alvarez u shpëtua nga fundi i pishinës prej trajneres së vet, pasi i kishte rënë të fikët gjatë garës në Kampionatin Botëror të Sportit Ujor.

25-vjeçarja nuk po merrte frymë dhe u fundos pasi e kompletoi rutinën e saj në stilin solo në finalen e Budapestit.

Trajnerja e saj, Andrea Fuentes, e nxori Alvarezin nga fundi i pishinës duke ia shpëtuar jetën.

Ekipi i notarëve të Amerikës tha më vonë në një komunikatë për media se Alvarez ndihet mirë tani.

Kjo nuk është hera e parë që Alvarezit i ka rënë të fikët gjatë një gare e as e para që trajnerja e vet Fuentes e shpëton atë.

Asaj i kishte rënë të fikët edhe gjatë një gare kualifikuese për Lojërat Olimpike në Barcelonë vitin e kaluar dhe, edhe në atë rast, Fuentes e shpëtoi nga mbytja në ujë.

Në lidhje me incidentin e fundit, Fuentes tha: “Anita është mirë, mjekët e kontrolluan në hollësi dhe çdo gjë duket mirë. Ritmi i rrahjeve të zemrës së saj, oksigjeni, niveli i sheqerit, presioni i gjakut, etj., gjithçka është në rregull”.

“Ne nganjëherë harrojmë se kjo ndodh në sportet e tjera të vështira, si maratona dhe çiklizmi. Kemi parë pamje kur atletët nuk ia kanë dalë ta arrijnë vijën e finishit dhe janë ndihmuar nga të tjerët për të arritur në fund”, shtoi ajo.

“As sporti jonë nuk është më ndryshe se tjerat, vetëm se e bëjmë në pishinë, ne japim maksimumin. Anita ndihet mirë dhe mjekët thonë se ajo është mirë.”

Gazeta spanjolle Marca raportoi se katër herë medalistja olimpike Guentes kishte thënë se ishte futur në ujë për ta shpëtuar Alvarezin “sepse rojet e shpëtimit nuk po e bënin”.

“Ajo nuk po merrte frymë. U futa në ujë sa më shpejt, sikur të isha në finale olimpike”.

Tjera nga autori:
1