<b></b> Përcaktohen finalistët e konferencave në NBA, Dallas për herë të parë në një finale pas vitit 2011

Përcaktohen finalistët e konferencave në NBA, Dallas për herë të parë në një finale pas vitit 2011

16.05.2022 11:45

Janë përcaktuar edhe dy finalistët e fundit në konferencat e përkatëse në NBA, Boston Celtics në lindje e Dallas Mavericks në perëndim kanë siguruar finalen përmes ndeshjes së shtatë vendimtare.

Pasi Golden State Warriors dhe Miami Heat e siguruan disa ditë më herët finalen, tashmë ato i dinë edhe kundërshtarët e tyre.

Miami Heat do të takohen me Boston Celtics në finalen e konferencës lindore ndërsa Golden State Warriors luajnë ndaj Dallas Mavericks.

Heats dhe Warriors patën punë pak më të lehtë, ku e kryen punën në gjashtë ndeshje dhe nuk patën nevojë ta prisnin ndeshjen e shtatë sikur Celtics e Mavericks, me ç’ rast e fitojnë një përparësi të lehtë për shkak se do të kenë më shumë kohë për të pushuar.

Ndeshja mes Boston Celtics dhe Milwaukee Bucks e zhvilluar të dielën në mbrëmje prodhoi një befasi të lehtë, pasi që Bucks që nga fillimi shiheshin si favoriti kryesor për të triumfuar përsëri.

Lëndimi i Khris Middelton në ndeshjen e dytë ndaj Chicago Bulls e la të vetëm Giannis Antetokounmpon, i cili ishte i pafuqishëm përballë mbrojtjes së fortë të Bostonit.

Ishin ndeshje të forta mes këtyre skuadrave gjatë tërë serisë, për të cilën tregon fakti se duhej patjetër një ndeshje që të vendoste se cila të kalonte në finale, dhe Boston e shfrytëzoi më së miri epërsinë e vendasit në parket duke triumfuar në TD Garden me rezultat 109:81.

Vetëm çereku i parë i takoi Bucks, dhe më pastaj Jayson Tatum me skuadër e morën lojën në dorë duke i dërmuar në tre çerekët në vazhdim.

Më i miri i ndeshjes dhe gjithë serisë padyshim që ishte Tatum, i cili në këtë ndeshje shënoi 23 pikë, tetë asistime dhe gjashtë rebounds. Ai u ndihmua nga Grant Williams i cili shënoi shtatë treshe e në total 27 pikë me një saktësi prej 45%.

Greku i frikshëm siç njihet Giannis ishte i pafuqishëm të bënte më shumë i vetëm përballë një skuadre që një seri më parë kishte mposhtur edhe favoritin tjetër Brooklyn Nets me rezultat 4:0.

Ndeshja tjetër e zhvilluar në mëngjesin e hershëm mes Dallasit dhe Suns kishte udhëtim të njëjtë, ku edhe aty u nevojitën shtatë ndeshje për të përcaktuar një fitues.

Dallasi po humbte 2:0 ndaj Phoenix në seri, por një kthesë e madhe ndodhi ku fillimisht e barazuan serinë e më pastaj për ta fituar të gjithën.

Dallasi me ardhjen e trajnerit Jason Kidd ka pasur evolucion në fazën mbrojtëse, duke aplikuar mbrojtje të fortë zonale dhe duke u cilësuar si një nga skuadrat më të mira në NBA në këtë aspekt.

Edhe pse Suns po luanin si vendas kjo nuk iu ndihmoi aspak që ta mposhtnin Luka Doncic me shokët e tij.

Ndeshje e dominuar në tërësi me një paraqitje brilante të sllovenit e bënë më të lehtë këtë triumf.

Dallas Mavericks triumfoi ndaj Phoenix Suns me rezultat 123:90, ku Luka Doncic shënoi plot 35 pikë e ndihmoi me 10 rebounds e katër asistime, në ndihmë i doli edhe Spencer Dinwiddie e Jalen Brunson  me nga 30 dhe 24 pikë respektivisht. Tek skuadra humbëse në këtë ndeshje nuk la mbresa as Devin Booker e as Chris Paul, nga të cilët pritej ta merrnin ndeshjen në dorë, e sidomos në një ndeshje vendimtare si kjo.

Ndeshjet finale fillojnë më 18 maj, me finalen e parë të konferencës lindore mes Boston Celtics e Miami Heat, ndërsa finalja e parë në konferencën perëndimore zhvillohet më 19 maj ndërmjet Dallas Mavericks e Golden State Warriors.

Për Dallasin kjo është finalja e parë e arritur pas triumfit sensacional në sezonin 2010-11 në krye me Dirk Nowitzkin.

Finale të forta na presin në vazhdim, me Bostonin e Dallasin dhe Miamin të cilat aplikojnë lojë të fortë mbrojtëse por që edhe në sulm janë mjaftë efikas. Ndërsa Warriors ka treguar luhatje të vazhdueshme në mbrojtje por që në skuadër kanë lojtarë si Stephen Curry, Klay Thompson e Draymond Green që janë kampionë të trefishtë në NBA, e dy nga to i kanë rresht.

Ndeshjet finale të konferencave luhen në shtatë ndeshje nëse është e nevojshme dhe si gjithë seritë tjera, skuadra që arrin katër fitore shkon tutje për në finalen e madhe.

Përgatiti: Vivianit Gërguri

Tjera nga autori:
1