<b></b> Përkundër shqetësimit muskulor, Muriqi do të jetë i gatshëm kundër Greqisë

Përkundër shqetësimit muskulor, Muriqi do të jetë i gatshëm kundër Greqisë

11.06.2022 19:34

Burime të gazetës Nacionale pranë Kombëtares së Kosovës, kanë treguar se Vedat Muriqi me sukses e ka mbyllur seancën e fundit stërvitore dhe do të jetë i gatshëm për Greqinë. 

Sulmuesi prizrenas kishte ndjerë një shqetësim muskulor pas humbjes që Kosova pësoi një javë më parë ndaj Greqisë në Prishtinë. Në ditën e nesërme, ai kishte zhvilluar stërvitjen i vetmuar nga pjesa tjetër e grupit. Por, falë një pune vërtet enorme nga stafi mjekësor, Muriqi ia doli të ishte gati në kohë rekord, për të luajtur kësisoj ndeshjen e plotë në fitoren përballë Irlandës Veriore me rezultat 3:2.

Gjithsesi, pas përfundimit të ndeshjes ndaj kombëtares britanike, ai sërish ka ndjerë dhimbje të njëjta dhe ka rritur frikën te kampi dardan nëse do të mund të jetë i gatshëm për ndeshjen vendimtare përballë Greqisë në udhëtim.

Sidoqoftë, burime të ndryshme i kanë thënë gazetës Nacionale që përkundër të gjitha shqetësimeve të ndjera, e veçanërisht gjatë ditës së djeshme, Muriqi do të jetë i gatshëm për ta ndihmuar Kosovën ndaj Greqisë.

 

Sipas disa prapaskenave, gjithmonë duke iu referuar burimeve të ndryshme, vetë sulmuesi 28-vjeç gjatë ditës së djeshme ishte shfaqur skepktik nëse do të mund të ia dilte me kohë që të ishte i gatshëm për ta dhënë kontributin e tij të radhës për Kosovën. Kjo do të nënkuptonte një hendikep të madh për Kosovën, por për fat të mirë gjërat gjatë orëve të fundit shkuan drejt rrugës së duhur.

Muriqi ka luajtur titullar në të gjitha ndeshjet që ka zhvilluar Kosova gjatë grumbullimit të këtij muaji. Ai mes tjerash ka shënuar dy gola të rëndësishëm, të cilat ishin kyçe në fitoren që Kosova e arritën dardanët kundër Irlandës Veriore dy ditë më parë. 

Kosova nesër luan me kushtin e vetëm për të dalë me tri pikë përballë kombëtares greke. Giresse do të mund të llogarisë në 17 lojtarë në tërësi, duke i përfshirë këtu edhe tre portierët. Kësisoj, edhe opsionet për formacionin bazë janë të kufizuara. 

Kosovës për shkak të lëndimit do t'i mungojnë Zhegrova dhe Kololli, ndërsa për arsye të pezullimit me kartonë do të mungojnë Fazliji, Dresheviç dhe Kastrati. 

Gjatë ditës së sotme gazeta Nacionale mori vesh arsyen e mungesës së Kolollit, e cila ndërlidhet me një lëndim në pulpin e këmbës.

Kujtojmë që para se të niste mirë ky grumbullim filluan lajmet jo të mira, me Kurtulus që nuk pranoi ftesën dhe vendosi ta përfaqësojë Suedinë, si dhe me Vojvodën që u detyrua të largohet nga grumbullimi, për shkak të problemeve në ligament dhe kyç të këmbës. 

 

Tjera nga autori:
1