<b>Pesë ndeshje</b> në Superligë sot: Kush do të përfundojë në pozitën e barazhit?

Pesë ndeshje në Superligë sot: Kush do të përfundojë në pozitën e barazhit?

08.05.2022 10:00

Të dielën, me fillim nga ora 15:00, do të zhvillohen pesë ndeshje të Superligës së Kosovës në futboll.

Sa i përket katër pozitave të para tashmë është qartësuar gati gjithçka, por garë e fortë pritet të zhvillohet për pjesën e mbijetesës, ku dikush do ta ketë fatin e zi të përfundimit në vendin e tetë, aty ku është Drenica aktualisht, dhe të luajë për barazh ekzistencial në Superligë.

Baraz me pikë me Drenicën është Malisheva, një pozitë më lart, por kjo e fundit ka goldallim më të mirë.

Sidoqoftë, distanca mes vendit të tetë dhe të pestë, ku është Prishtina, është vetëm pesë pikë, andaj gjithçka mbetet e hapur deri në fund.

Sa i përket ditës së sotme, pikërisht përballja mes Malishevës dhe Drenicës pritet të jetë jashtëzakonisht interesante, për faktin se fitorja e cilësdo skuadër do ta vendoste veten në zonën e shpëtimit për ta "fundosur" tjetrën aty ku askush nuk dëshiron të jetë.

Malishevasit ndoshta kanë një avantazh të vogël në këtë përballje për shkak se luajnë si nikoqirë, por vështirë se drenicasit do të kenë ndonjë gjë tjetër në mendje veç fitores dhe largimit, sado pak, të presionit për ekzistencë në Superligë nga supet.

Tashmë dihet se Ulpiana dhe Feronikeli u kanë dhënë fund aventurave të tyre në Superligën e Kosovës, dhe do të kërkojnë të rikthehen sigurisht edicionin e ardhshëm nga Liga e Parë, varësisht nëse "Nikli" do të gjejë ndonjë mënyrë të largohet nga lëmshi i krizës financiare në të cilën është përfshirë.

Andaj, Prishtina duhet ta fitojë me çdo kusht takimin kundër Ulpianës të pa motivuar, nëse dëshiron të mos i lë asgjë rastit deri në fund.

Një takim tjetër interesant por me karakter dhe objektivë tjerë të skuadrave të përfshira, sigurisht do të jetë ai mes Llapit dhe Gjilanit.

Djelmoshat e Tahir Batatinës aktualisht pozicionohen në vendin e katërt me 54 pikë, kur kanë mbetur edhe tri xhiro deri në fund, ndërsa Gjilani është i dyti me 59 pikë.

Nëse Llapi fiton këtë përballje do t'ia rriste vetes gjasat për të përfunduar mbi 'Skifterat' në tabelën e Superligës, me këta të fundit që nuk kanë ku të shkojnë më lart se pozita e dytë - meqë Ballkani tashmë edhe matematikisht ka siguruar titullin e kampionit.

Eh, një takim në të cilin nuk do të ketë kurrfarë motivi të luftohet për absolutisht asgjë është ai mes Ballkanit dhe Feronikelit.

Edhe po të kërkonim ndonjë ndeshje më jo interesante të shikohet vështirë se do ta gjenim, me këto dy skuadra që tashmë e kanë të përcaktuar fatin e tyre.

Njëri kampion i shpallur e tjetri i përshëndetur nga elita e futbollit kosovar kohë më parë. Veç familjarëve të futbollistëve të përfshirë dhe ndonjë fansi të flaktë aty-këtu, vështirë se dikush që po kërkon futboll kualitativ në një fundjavë si kjo do të vendos ta shikojë këtë përballje.

Gjërat qëndrojnë më ndryshe sa i përket ndeshjes Drita-Dukagjini. Ky i fundit aktualisht pozicionohet në vendin e gjashtë në tabelë me 45 pikë, ndërsa Drita në të tretin me 57 pikë, e ndjekur hap pas hapi nga Llapi për këtë pozitë.

Dukagjini e ka punën njejtë si Prishtina dhe ka nevojë për pikë nga secila ndeshje deri në fund, në mënyrë që të mos lërë fatin e vet në duart e dikujt tjetër.

Të gjitha ndeshjet luhen me fillim nga ora 15:00. 

Tjera nga autori:
1