<b></b> Prapaskenë në Greqi - Muriqi falënderues ndaj Dardanëve: Jua hongsha ko**t krejtve

Prapaskenë në Greqi - Muriqi falënderues ndaj Dardanëve: Jua hongsha ko**t krejtve

13.06.2022 16:13

Vedat Muriqi ishte nga ata që u angazhuan më së shumti dje për Kosovën, përkundër humbjes 2:0 që Kosova pësoi në fund ndaj Greqisë. Mirëpo, sipas burimeve të gazetës Nacionale, ai në një moment ka shkuar te Dardanët për t'u shprehur konsideratë.

Gazeta Nacionale ka marrë vesh një prapaskenë që ka ndodhur pas përfundimit të ndeshjes, e që akter kryesor e kishte Vedat Muriqin. Sipas asaj që ka mësuar gazeta, pas disa minutash që kanë kaluar pasi ka mbaruar ndeshja, sulmuesi prizrenas është rikthyer në fushë, duke ecur me papuçe në drejtim të dardanëve. Këta të fundit për arsye sigurie kishin mbetur aty me minuta të tërë në pritje të lejimit për të dalë nga sektori i tribunave ku ishin vendosur.

Burimet e gazetës Nacionale, të afërta me tifogrupin Dardanët, kanë treguar të gjithë prapaskenën e ndodhur. 

"Po, Vedat Muriqi erdhi në papuçe, i vetëm, dhe na falënderoi për mbështetjen e dhënë. Ai 2-3 herë na u drejtua me fjalinë 'jua hongsha ko**t'", tha një burim në kushte anonimiteti për gazetën tonë.

Gjithë kjo ka ardhur pasi Dardanët janë provokuar dhe sulmuar nga tifozët grekë gjatë gjithë ndeshjes. Në vetëmbrojtje, pjesëtarë të ndryshëm të Dardanëve janë përleshur edhe me disa tifozë grekë, të cilët ishin futur për t'i qëruar hesapet me tifozët kosovarë, por pas një orvatjeje, janë kthyer mbrapa. 

Në anën tjetër, Vedat Muriqi ishte shumë i zëshëm, pasi Kosova pësoi golin e parë dhe Dardanët filluan të sulmoheshin me gjësende dhe mjete piroteknike.

"Ky është futboll - nuk është luftë", dëgjohej teksa i thoshte gjyqtarit austriak të ndeshjes, Weinberger.

Muriqi në të kaluarën ishte kritikuar për mosinsistimin e tij për t'i ndihmuar Kosovës në ndeshjen jetike përballë Maqedonisë së Veriut, duke mos qenë pjesë e listës. Kosova kishte humbur me rezultat 2:1 në Shkup, duke iu venitur kësisoj ëndrra për një kalim në finale të play off-it për Euro 2020. 

Megjithatë, në ndeshjet e fundit, ai ka dëshmuar se është i gatshëm të sakrifikojë për Kombëtaren e Kosovës. Praktikisht, edhe pse nuk ishte në kondicionin më të mirë fizik dhe assesi në gjendje të 100%-të për t'i luajtur katër ndeshje brenda 10 ditësh, ai prapëseprapë vendosi t'i shtrëngojë dhëmbët për dy ndeshjet e fundit, duke u rekuperuar me kohë në kufijtë e mrekullisë.

Gazeta Nacionale falë burimeve afër kampit dardan ka mësuar se kruciale ka qenë vendosmëria e Vedat Muriqit për të qëndruar pjesë e grupit, anipse testet fizike nuk ishin në lartësinë e dëshiruar dhe nuk premtonin në masë të madhe një garanci të atillë, aq sa ai të luante ndaj Irlandës Veriore dhe Greqisë.

Gjithsesi, pas këtyre ndeshjeve është rikthyer në plotni empatia mes Muriqit dhe Dardanëve. Ai më herët ishte edhe pjesë e koreografive të këtyre të fundit, siç ishte rasti në ndeshjen e luajtur ndaj Malit të Zi në Fadil Vokrri, më 14 tetor 2019, e cila u fitua me rezultat 2:0, ku pjesë e golashënuesve ishte edhe Vedat Muriqi.

Madje, edhe gjatë ditës së djeshme, nga sektori i tribunave të Dardanëve është dëgjuar herë pas here të thirrej në kor "Muriqi, Muriqi".

Ndoshta edhe për këtë arsye, si dhe për gatishmërinë për të udhëtuar dhe ndihmuar ekipin kombëtar, ai në fund ka shkuar te Dardanët, i vetëm, për t'i falënderuar me fjalët e sipërpërmendura.

Vedat Muriqi në katër ndeshjet e luajtura ka shënuar dy gola, gjegjësisht ato ndaj Irlandës Veriore në fitoren që arkëtoi Kosova me rezultat 3:2 në stadiumin Fadil Vokrri. Në përgjithësi, ai ishte qendërsulmuesi i vetëm që kishte Kosova në listë, pasi për arsye teknike u vendos që të mos ftohej Astrit Selmani. 

Tjera nga autori:
1