<b></b> Qipro – Kosovë: Vlera ekipore, mënyra e preferuar e lojës nga përzgjedhësit dhe renditja e përgjithshme

Qipro – Kosovë: Vlera ekipore, mënyra e preferuar e lojës nga përzgjedhësit dhe renditja e përgjithshme

02.06.2022 12:32

Kombëtarja e Kosovës ditën e enjte do të zhvillojë ndeshjen e parë në kuadër të sezonit të tretë në Ligën e Kombeve, si mysafir i Qipros.

"Dardanët" do kërkojnë vetëm fitore që të nisin këtë edicion të Ligës së Kombeve me 'këmbë të mbarë' dhe kjo u bë mesë e qartë në konferencë për shtyp nga Alain Giresse dhe Valon Berisha.

Sidoqoftë, nëse fokusohemi në statistika dhe vlerë ekipore dëshmohet edhe më shumë si Kosova është absolut favorit për këtë ndeshja.

Vlera ekipore e dy kombëtareve, Amir Rrahmani kushton më shumë se e tërë Qipro

Kombëtarja e Kosovës dukshëm ka vlerë më të shtrenjtë se Qipro, sa i përket vlerës ekipore, kështu tregojnë të dhënat në "Transfermarkt".

Duke marrë parasysh formën e lartë që treguan "Dardanët" në top pesë ligat evropiane këtë edicion, vlera e Kosovës është ngritur në 63.36 milionë euro.

Ndërsa, gjithmonë duke u bazuar në këto të dhëna, vlera e Kombëtares së Qipros është 18.65 milionë euro.

Pra, vetëm kartoni i kapitenit tonë, Amir Rrahmani kushton më shumë se e tërë kombëtarja e tyre. Siç dihet, ylli i Napolit është lojtari më i vlefshëm në Kombëtaren e Kosovës, duke kushtuar hiq më pak se 22.5 milionë euro.

Pas Rrahmanit, lojtari i dytë më i shtrenjtë te Kosova është sulmuesi i Norwicht Cityt, Milot Rashica me 7.20 milionë euro, ndjekur nga Vedat Muriqi i Lazios me 5.40 milionë euro.

Kurse, të kundërshtari vlen të ceket se lojtarët më të shtrenjtë janë në pjesën ofensive, gjë që mund të na shkaktojë probleme gjatë ndeshjes.

Qendërsulmuesi Peros Sotiriou kushton 2.20 milionë euro, derisa sulmuesit e krahut, Marinos Tzionis në të majtë dhe Loizos Loizou në të djathtë, kushtojnë nga 1.5 milionë euro.

“Dardanët” më të rinj si skuadër, por më poshtë në renditjen e FIFA-së

Kosova qëndron më mirë edhe në aspektin e moshës mesatare në skuadër nëse krahasohet me Qipron, edhe pse dallimi nuk është shumë i madh.

“Dardanët” kanë një moshe mesatare prej 25.5, me 22 lojtarë të pranishëm, derisa Qipro 26.1 me 27 lojtarë.

Kundërshtari qëndron vetëm një në aspekt më mirë se Kosova, kjo është në renditjen zyrtare të FIFA-së, gjë që mund të ndryshojë pasi të përfundojnë këto ndeshje të Ligës së Kombeve.

Qipro renditët në pozitën e 105-të në renditjen botërore, katër pozita më lartë se Kosova, që zë 109-en.

Mënyra e lojës: Kosova preferon sulmin, derisa Qipro provon me kundërzbritje

Deri më tani, Alain Giresse ka udhëhequr Kosovën në vetëm dy takime, atë ndaj Burkina Fasos, ku fituam me rezultat të thellë 5:0 në "Fadil Vokrri" dhe një barazim me Zvicrën, ku djemtë tanë treguan paraqitje dinjitoze edhe pse rezultati përfundimtar doli të jetë 1:1.

Sidoqoftë, në të dy takimet që zhvilloi tekniku francez, kemi parë që Kosova luajti me formacionin 4-3-3, atë duke sulmuar tërë kohën dhe provuar të ndërtojnë aksione të shumta nga krahët.

Mirëpo, një gjë të tillë nuk e preferon Qipro nën urdhrat e Nikolaos Kostenoglou, i cili gjithashtu ka udhëhequr kombëtaren në vetëm dy takime.

Tekniku grek preferon lojë defensive (bazuar në dy ndeshjet e marsit) dhe të provojë përmes kundërzbritjeve në krahë. Ai të dy takimet i zhvilloi me formacionin 3-4-2-1, ku vëmendja ishte te qendërsulmuesi Sotiriou.

Kujtojmë se takimi mes dy kombëtareve që nuk janë përballur asnjëherë më parë në histori, do zhvillohet në stadiumin “AEK Arena” dhe nis në ora 18:00.

Tjera nga autori:
1