<b></b> Rinovimi i Krasniqit dhe Micit, synimet me Munishin në krye dhe Kuvendi Zgjedhor – Artan Osmani thyen heshtjen

Rinovimi i Krasniqit dhe Micit, synimet me Munishin në krye dhe Kuvendi Zgjedhor – Artan Osmani thyen heshtjen

16.06.2022 18:17

Drejtori gjeneral i FC Prishtinës, Artan Osmani më në fund ka thyer heshtjen duke komentuar ardhjen e Ismet Munishit, rinovimin e kontratave të Endrit Krasniqit dhe Gledi Micit si dhe objektivat për edicionin e ardhshëm në një intervistë për Gazetën Nacionale.

“Bardhëkaltërit” kaluan ndoshta sezonin më të keq në karrierë, ku për 100 vjetorin e klubit në xhiron e fundit siguruan mbijetesën (me fitore ndaj Llapit), derisa dështuan të kualifikohen në Evropë.

Prishtina ka hasur në probleme të vazhdueshme kohëve të fundit, pasi ka humbur disa lojtarë që iu bashkuan rivalët apo kaluan në Superligë. Një prej tyre që iu konfirmua largimi, ishte mesfushori kreativ Endrit Krasniqi, mirëpo pastaj reagoi bordi duke e bindur të qëndrojë, njësoi si Gledi Micin (për këtë të fundit nuk kishte ndonjë njoftim zyrtar që do të largohet).

I pyetur për dy lojtarët, drejtori gjeneral i Prishtinës, Artan Osmani për Gazetën Nacionale deklaroi se me Micin është kryer, derisa gjithçka pritet të kompletohet edhe me Krasniqin.

Me Micin mund të thuhet se është e kryer, por besoj që edhe me Endrit Krasniqin, qëndrimi i tyre do t’i ndihmojë skuadrës të arrijë objektivat tona”.

Me synimin për një frymë të re, Prishtina ia besoi stolin trajnerit Ismet Munishit, i cili në fakt e ka edhe një rol tjetër – atë të drejtorit sportiv.

Po, Ismet Munishi është personi i duhur pasi edhe e njeh klubin, është nga Prishtina. Sa i përket transferimeve, vetëm trajneri merret me to pasi që ka edhe pozitën e drejtorit sportiv”, tregoi tutje Osmani.

“Fati” i Prishtinës pritet të vuloset shumë shpejtë me Osmanin që ka bërë të ditur se janë duke rregulluar disa gjëra të tjera dhe pastaj do të nis Kuvendi Zgjedhor.

Jemi duke kryer edhe disa gjëra të tjera para se të nisim zyrtarisht Kuvendin Zgjedhor, besoj që brenda javës do të kompletohen dhe pastaj do të shohim se çfarë do të bëhet në Kuvendin Zgjedhor. Nuk mund të them asgjë sa i përket presidentit të ardhshëm, pasi që ende nuk dihet”.

Në fund, drejtori gjeneral i klubit më të trofeshëm kosovar theksoi se objektivi për edicionin tjetër është dalja në Evropë dhe nga ana e infrastrukturës – që të rregullohet stadiumi stërvitor.

Objektivi momental është dalja në Evropë dhe që të nisim punën për të rregulluar stadiumin stërvitor, në rast që ndryshon ndonjë gjë, atëherë mund të ndryshojnë edhe objektivat”.

Kujtojmë, se edicionin që lamë pas Prishtina u rendit në pozitën e pestë në tabelë me 51 pikë të mbledhura, 25 pikë prapa liderit FC Ballkani.

Sidoqoftë, ndryshimet mund të fillojnë pas Kuvendit Zgjedhor, pasi siç merr vesh Gazeta Nacionale, aksionari më i madh në klub, Rrahman Haradini pritet të emërohet president i klubit, derisa presidenti i deritashëm, Remzi Ejupi do të tërhiqet plotësisht dhe nuk do të ketë asnjë pozitë te Prishtina.

Ndërkohë, nuk hedhet poshtë mundësia që në ditët e ardhshme edhe të ndryshojë situata.

Tjera nga autori:
1