<b></b> Roma thyen makthin evropian, Mourinho ia fiton garën inauguruese të Conference League

Roma thyen makthin evropian, Mourinho ia fiton garën inauguruese të Conference League

25.05.2022 22:58

Roma ka fituar finalen e Conference League duke mposhtur në 'Air Albania' të Tiranës skuadrën e Feyenoord, falë golit të Niccolò Zaniolos. Një finale e luajtur me shumë kujdes, e me jo shumë ritëm të lartë, e pa Romën teksa i buzëqeshi fati në fund, për ta ngritur lart trofeun e parë të shumëdëshiruar evropian, pas mallkimit që historik, me finalet e humbura përballë Liverpool në 1984 dhe Inter në 1991. 

Tirana ishte nikoqire e një ngjarjeje të madhe sportive siç ishte finalja e Conference League , kompeticionit më të ri evropian nën umbrellën e UEFA-s. Shqiptarët priten në folenë e tyre dhjetëra-mijëra italianë dhe holandezë, të cilët e vërshuan shtetin shqiptar nga çdo pikë e saj doganore: qoftë portet detare, kufijtë tokësorë, ashtu edhe aeroportin e Rinasit.

Ndeshja filloi me ritëm shumë të ulët, ku skuadrat preferonin të studioheshin, edhe pse Feyenoord ishte ajo që bëri tryesni më të madhe. Roma, ashtu siç i interpreton zakonisht finalet Josè Mourinho, preferoi që të qëndronte e tërhequr në gjysmën e fushës së saj. Pastaj, me kalimin e minutave loja u karakterizua me duele të ashpra, por ritmi filloi të ngadalësohej në minutat në vijim. 

Për Mourinhon telashet filluan herët, pasi Mkhitaryan nuk ia doli ta vazhdonte ndeshjen më shumë se 17 minuta, ku u zëvendësua nga Oliveira.

Feyenoord ishte skuadër më kërkuese. Në anën tjetër, Roma në fraksionin e parë të ndeshjes u mundua që të ishte sa më kompakte dhe e organizuar në mbrojtje, pa u dhënë hapësira të mëdha skuadrës nga Roterdami. 

Në një fazë shterrpe të lojës, kur gjithçka dukej monotone, nga një aksion që nuk premtonte shumë, erdhi deri te zhbllokimi i rezultatit. Zhvillohej minuta e 32-të kur Zaniolo pranoi një top të gjatë në zonë nga Mancini. Mbrojtësi i djathtë i Feyenoord, Geertuida, e la krejtësisht të lirë Zaniolon, duke e harruar mbrapa shpinën. Përfaqësuesi italian pati qetësinë e duhur për ta pranuar topin dhe pastaj me një siguri të plotë e shpiu atë në portë, për t'i çuar në delir tifozët e Romës. 

 

Roma ngriti vetëbesimin e saj. Filloi ta marrë kontrollin e lojës në minutat e mbetura të pjesë së parë, anise nuk pati ndonjë rast që ia vlen të cekët.

Me ekipin romak në epërsi minimale skuadrat shkuan në pushim të dy pjesëve.

Pjesa e dytë filloi me Feyenoord që ushtroi një presion asfiksues te porta e Romës. Ishte Trauner ai që pati një mundësi të mirë shënimi në minutën e 47-të, por verdhekuqtë ia dolën të shpëtojnë disi. Pak sekonda më vonë sërish ishte skuadra holandeze që provoi ta barazonte rezultatin, por Guus Tilit nuk i buzëqeshi fati, pasi portieri portugez Rui Patricio bëri një pritje të shkëlqyer. Gjyqtari rumun i ndeshjes, Kovacs, ndaloi lojën për disa minuta për të verifikuar nëse kishte kontakt me dorë nga mbrojtësit e Romës, por VAR konfirmoi se gjithçka ishte e rregullt.

Feyenoord vazhdoi që të sulmonte. Kësaj radhe Tyrell Malacia nga një pozitë e volitshme u mundua që ta befasojë Patricion, por sërish pa sukses, pasi portieri i Romës ia doli ta grushtonte topin për ta larguar rrezikun.

Roma arriti që të merrte paksa oksigjen nga tryesnia e Feyenoord. Skuadra e Mourinho sërish u konsolidua mirë në mbrojtje, duke mos u interesuar fare për posedimin e topit. Diçka që nuk është se përbën lajm për skuadrat që udhëhiqen nga Mourinho.

Futbolli sulmues që shfaqte Feyenoord, bëri që edhe tifozët e saj të fillonin të besonin te një barazim i rezultatit. Çdoherë e më shumë ata filluan të ndiheshin në stadium, ndonëse shumica e stadiumit në 'Air Albania' përkrahnin skuadrën italiane.

Roma rrezikoi me një kundërsulm, ku Pellegrini në minutën e 86-të goditi në brendi të 16-metërshit, por topi përfundoi në duart e portierit Bijlow

Megjithatë, qarkullimi i topit dhe ritmi i kënaqshëm që tregoi Feyenoord, nuk i mjaftuan kësaj të fundit që ta ndryshonte rezultatin, me Romën që me pragmatizëm e ruajti atë deri në fund të ndeshjes, për t'iu gëzuar në fund titullit të parë në histori të klubit në arenë evropiane dhe njëherit trofeut të parë që prej themelimit të Conference League.

Josè Mourino kishte deklaruar që kjo ishte finalja më e veçantë për të nga të gjithë të tjerat që i ka luajtur deri më tani. Ai ia ka arritur që ta fitojë finalen e katërt radhazi, duke shënuar një rekord dhe statistikë për çdo duartrokitje, për t'u bërë kësisoj edhe trajner fitues, të cilit nuk i ikën nga duart trofeu kur atë e ka afër dhe gjendet në finale të kompeticioneve evropiane. Trajneri portugez u bë i pari që i ka fituar të gjitha trofetë evropianë: Ligën e Kampionëve, Ligën e Evropës dhe Conference League.

 

Në vazhdim ju lëmë me pamjet nga përmbledhja e finales së Conference League.

 

 

 

Tjera nga autori:
1