<b></b> Ronaldo i vë ultimatum Manchester Unitedit, Bayerni e do për ta zëvendësuar Lewandowskin

Ronaldo i vë ultimatum Manchester Unitedit, Bayerni e do për ta zëvendësuar Lewandowskin

24.06.2022 10:41

Cristiano Ronaldo po mendon të largohet nga Manchester Unitedi për shkak të dështimit të klubit për ta forcuar skuadrën deri tani këtë verë, sipas mediave në Portugali.

Superylli portugez u kthye në Old Trafford verën e kaluar, 13 vjet pasi ishte larguar për t’iu bashkuar Real Madridit për një shumë rekorde botërore atë kohë, por kthimi i tij në shtëpi nuk doli të ishte i lavdishëm siç kishte shpresuar ai.

Ronaldo i shënoi 24 gola në 38 ndeshje në të gjitha garat por Unitedi nuk arriti më shumë se vendin e gjashtë në Premierligë dhe portugezi u kritikua për ndikim të keq në aftësitë e skuadrës për të bërë presing të lartë dhe në lojën ekipore.

37-vjeçari e ka edhe një vit të mbetur në marrëveshjen me djajtë e kuq dhe e ardhmja e tij tani është shumë e pasigurt.

Megjithëse është interesuar për Darwin Nunez, i cili iu bashkua Liverpoolit në fund, dhe për mesfushorin e Barcelonës Frenkie de Jong dhe anësorin e Ajaxit Antony, Unitedi nuk ka nënshkruar me asnjë lojtar deri tani këtë verë.

Dhe sipas mediave në Portugali, Ronaldo është i zemëruar me këtë dhe i gatshëm për t’u larguar nga Unitedi.

Raportohet se ish-ylli i Sportingut dhe Juventusit i ka vendosur ultimatum klubit duke thënë: “përforcojeni skuadrën ose unë largohem”.

Besohet se Ronaldo e ka informuar rrethin e ngushtë se nëse Unitedi nuk e përforcon skuadrën, ai do të largohet këtë verë.

Ndërkohë, raportohet se Bayern Munich e sheh portugezin si zëvendësuesin e duhur të Robert Lewandowskit, sulmuesit polak që ka vendosur të largohet nga kampioni gjerman për t’iu bashkuar Barcelonës.

Bayerni nuk dëshiron ta lëshojë polakun të largohet pa e gjetur një zëvendësues të mirëfilltë për të, pavarësisht se sapo e ka blerë Sadio Manen nga Liverpooli.

Besohet se përfaqësuesit e Ronaldos janë në dijeni për interesimin e Bayernit për portugezin dhe janë të gatshëm t’i nisin bisedimet me gjigantin gjerman.

Tjera nga autori:
1