Sezoni më i pjekur i Arijanet Muriç, shpresë për Kombëtaren e Kosovës para sfidave vendimtare të qershorit - NACIONALE

Sezoni më i pjekur i Arijanet Muriç, shpresë për Kombëtaren e Kosovës para sfidave vendimtare të qershorit

1 vit më parë

nga NACIONALE

Hapat e tij të parë të karrierës ishin shpresëdhënëse, por nuk kishte gjetur asnjëherë rehatinë e duhur për t'i përkthyer aftësitë e tij në rendiment të vazhdueshëm. Pas çdo një apo dy muaji fillestar në fillime të sezoneve, Muriç humbiste vendin titullar, falë gabimeve dhe pasigurisë që transmetonte. Huazimi në Adana Demirspor i ka dhënë besim, qetësi dhe pjekuri. Kjo edhe për meritë të trajnerit italian Vincenzo Montella.

Kur Adana Demirspor zyrtarizoi Balotellin dhe Aro Muriçin si pjesë të skuadrës së saj, disa filluan me ironi duke thënë se mosprofesionalizmi i portierit kosovar tanimë vetëm se do të përkeqësohej. Disa huazime të çuara dëm, në disa kampionate. Nga liga e dytë angleze, Championship, deri te ajo holandeze dhe spanjolle - kishin lënë shumë shije të keqe.

Për 23-vjeçarin huazimet te NAC Breda, Nottingham Forest, Girona dhe Willem II nuk kishin dhënë frytet e dëshiruara për vetë klubin që mban në pronësi kartonin e tij: Manchester Cityn.

Mirëpo, përtej të gjitha parashikimeve, Aro Muriç u bë pikë referimi te skuadra e re turke. Titullar i padiskuteshëm dhe në mesin e portierëve me statistikat më të mira në kampionatin respektiv. Kosova me të drejtë i buzëqeshë kësaj përshtatjeje të tij, pasi në të gjitha ndeshjet vendimtare që kombëtarja dardane i kishte luajtur më herët, gjithmonë haste në brengën e portierit, me Aro Muriç që nuk kishte minutazh në skuadrat ku aktivizohej më herët.


Tashmë Kosova për katër ndeshjet e qershorit mund të llogarisë në Aro Muriçin më në formë qëkur është pjesë e saj në këtë hark katër vjeçar. Në një sezon të gjatë në Turqi, ai nuk e ka bërë qoftë edhe një gabim të vetëm i cili i ka kushtuar me gol skuadrës së tij. Në përgjithësi lëshimet e tij vazhdojnë të jenë të njëjta dhe ato janë sikur një refren që përsëritën. Daljet e nxitura dhe jo mirë të menduara, janë ato që i shkaktojnë më së shumti telashe.

Megjithatë, po flasim për një sezon ku ai ka qenë ndër më meritorët për rezultatet e arritura nga Adana Demirspor. Pa pritjet e tij, skuadra e Vincenzo Montellës do të kishte akoma më pak pikë sesa ka tani kur mungon vetëm një ndeshje për t'u mbyllur kampionati, ku nesër do ta presin në terrenin e tyre Goztepen. Vendi i 9-të në renditje tabelare, 51 pikë - ky është bilanci i ekipit turk.

Sido që të jetë, bilanci sezonal i Aro Muric është sa e sa më lart sesa ai ekipor.

Muriç ka një mesatare për ndeshje prej 1,28 super pritjeve. Gjithashtu, portieri kosovar ka pasur një tjetër statistikë të mirë, duke neutralizuar goditjet e kundërshtarëve. Të tilla i ka pasur 3,9 për ndeshje ose 76%-shin e goditjeve të tërësishme që i ka pranuar në drejtim të tij.

Përveç këtyre tipareve, edhe teknikisht ka vazhduar përmirësimin. Po flasim për një portier që ka një mesatare të pasimeve prej 33 sosh, ku 91% e tyre rezultojnë të sakta. Në mesin e këtyre pasimeve, 1/4-ta janë të gjata, ose thënë ndryshe 73% nga to kanë qenë efikase.

Jo vetëm me këmbë i shkathtë, por edhe me duar. Aro si rrallë portierë të tjerë, preferon pasimet e gjata me duar dhe ato me reflekse të shpejta. Ai ka një mesatare prej 6 pasimeve të gjata me duar, ku saktësia e tyre shkon në 98%.

Nëse Muriç ishte i pagabueshëm në momente kyçe në kampionatin turk, i tillë nuk është demonstruar në disa raste me Kosovën. Tifozët e kombëtares dardane vetëm në sezonin e fundit i mbajnë mirë gabimet ndaj Jordanisë, Gjeorgjisë apo Zvicrës së fundmi me daljen e pamenduar mirë, e cila u bë shkas i barazimit të rezultatit në 1:1.

Megjithëse, në çdo rast, fakti që vjen nga një sezon në ngritje lineare, është shpresë edhe për ndeshjet që Kosova do t'i luajë në qershor në kuadër të Ligës së Kombeve, në një kalendar të ngjeshur, ku katër ndeshjet do të luhen për dhjetë ditë.

Lajme të ngjashme