Shefki Kuqi flet për Nacionalen: Kosovës i duhet plan afatgjatë, Muriqi s'duhej të ishte qendërsulmuesi i vetëm i ftuar - NACIONALE

Shefki Kuqi flet për Nacionalen: Kosovës i duhet plan afatgjatë, Muriqi s'duhej të ishte qendërsulmuesi i vetëm i ftuar

1 vit më parë

nga Shpend Thaçi

Njëmbëdhjetë vjet i kaloi në futbollin anglez, mes Championshipit dhe Premierligës, duke kaluar nëpër etapa dhe klube të ndryshme. Fjala është për Shefki Kuqin, i cili gjeti kohë të flasë për gazetën Nacionale, ku ndau opinionet e tij rreth ndeshjeve të fundit të Kosovës.

Të paktë ishin ata kosovarë që kanë pasur fatin ta ndiqnin vazhdimisht në fushë Shefki Kuqin. Kjo për arsye se të drejtat televizive shiteshin jo sikur sot dhe shpërndaheshin dukshëm më pak. Mirëpo, në kronikat e lajmeve dhe në të përditshmet kosovare të pas luftës, ai përfundonte në hapësirat më të mëdha, sa për golat që shënonte, aq për mënyrën e tij karakteristike në të festuar pasi shkundte rrjetën. Një festim i veçantë, i cili pati joshur shumë futbolldashës anëkënd botës ta pëlqenin.

Kuqi, ashtu siç dihet me prejardhje nga Kosova, ishte futbollist aktiv në një kohë kur Kombëtarja dardane nuk ishte pjesë e instancave më të mëdha të futbollit, UEFA dhe FIFA. Për këtë arsye, ai pati vendosur që ta përfaqësonte Finlandën, shtet dhe kombëtare ku u zhvillua, respektua dhe nderua gjatë tërë kohës.

I kontaktuar nga gazeta Nacionale, ai me plot dëshirë ka shprehur gatishmëri të flasë në lidhje me grumbullimin e fundit të Kombëtares së Kosovës, i cili përfundoi me 6 pikë të tubuara në 4 ndeshje të zhvilluara, me ç'rast peshuan rëndë ndeshjet direkte të humbura ndaj Greqisë, të cilat ua venitën shpresën dardanëve që të përfundojnë si të parët në grup.

Në lidhje me përshtypjet që i kanë lënë ndeshjet e fundit, Kuqi u shfaq kritik rreth menaxhimit të ftesave të lojtarëve.

"Mendoj se ka qenë një grup ndeshjesh të vështira, për faktin se janë luajtur në një kohë të shkurtër. Mendoj se, ndoshta, në aspektin e ftesave të lojtarëve është dashur ta kishin parasysh faktin se kishte shumë ndeshje në program në një kohë të shkurtër. Dyfishimi dhe trefishimi i lojtarëve që shpenzojnë energji është dashur të parashihet. Ndoshta kjo është një gjë që ka qenë e dukshme", shtoi ai.

I pyetur se a priste diç më shumë nga dy ndeshjet me Greqinë, ai u shpreh si vijon:

"Ndeshjet kundër Greqisë na tregojnë se kemi shumë punë për të bërë dhe për të menduar hapa më të mëdhenj, ngaqë Greqia mund të llogaritet modeste në krahasim me kombëtaret më të forta evropiane dhe prapëseprapë na mposhti dy herë. Kjo tregon se Kosova ka shumë punë për të bërë", nënvizoi ai.

Duke qenë se Kuqi ka luajtur si qendërsulmues, atij iu shtrua pyetja rreth asaj se si e kishte parë zgjedhjen e Giresse që në listën e lojtarëve të përzgjedhte vetëm një "9"-sh, Muriqin, duke lënë jashtë lojtarë tjerë, me në krye Selmanin.

"S'di të them për emra të përvetshëm, pasi dua të besoj se ka njerëz adekuatë, të cilët merren me përzgjedhjen e lojtarëve. Por, mund të bie dakord se dyfishimi i rolit të qendërsulmuesit ishte i nevojshëm, sepse kemi pasur një Vedat Muriqi, i cili ka luajtur në 4 ndeshje për 10 ditë. Si ish-futbollist në atë rol mund t'ju them se sa shumë energji duhet për një sulmues, i cili është si pikë referimi, siç është zakonisht i ngarkuar qendërsulmuesi te Kombëtarja e Kosovës", u shpreh Kuqi.

Kosova ka shënuar pesë gola në katër ndeshje gjatë qershorit. Këtë statistikë kështu e komentoi Kuqi si ish-futbollist me dhunti golashënuesi.

"Ndoshta e sqarova te pjesa që mendoj se duhet ta kuptojmë se sukseset në futboll tregohen kur përballesh me ekipe që janë më lart se ti. Në këtë rast ndeshja ndaj Greqisë na ka treguar se ndoshta duhet menduar realisht, meqë për të arritur nivel të lartë duhet shumë punë dhe plan afatgjatë, pasi sukseset në futboll nuk janë të lehta dhe nuk arrihen pa një plan, i cili e mbikëqyr rritjen graduale. Në nivel përfaqësuesuesh nuk besoj se në çdo cikël kualifikimesh ne duhet të mendojmë se po nisim gjithçka nga fillimi, por Kosova duhet të ketë një plan që vazhdon, e ku ngritet në suksese graduale", komentoi ai.

Në fund, Kuqi dha përgjigjen e tij rreth asaj se si duhet t'i qaset FFK futbollistëve potencialë që mund t'i bashkohen Kosovës nga vendet tjera.

"Kjo është një pikë e ndjeshme, ku duhet pasur kujdes. Megjithatë, nëse krijohet një plan ku në rend të parë është disiplina dhe respektimi i një plani që duhet përpiluar, e kur lojtarët që ftohen duhet të dijnë përgjegjësitë e tyre dhe vlerat që Përfaqësuesja e Kosovës tenton të shpërndajë te njerëzit që e përkrahin, por edhe para botës - atëherë do të jetë më e lehtë të përfshihen edhe lojtarë të rinj, të cilët kanë dalë në skenën evropiane dhe kanë origjinë shqiptare. Pa një plan sportiv, ku lojtarët ta shohin veten të përfshirë në të, është e vështirë t'i bindësh. Dhe, duhet të selektohen që në moshat e reja dhe të kujdesemi për ta, duke u dhënë hapësirat e duhura", përfundoi Shefki Kuqi.

Lajme të ngjashme