"Sikur ta parkosh Ferrarin pranë një shtëpie llom”: A ishte investimi në VAR i nevojshëm në stadiume punishte?

11.05.2022 15:07

Futja e përdorimit të VAR-it, video-asistentit të gjyqtarëve, në Kosovë u pa fillimisht si një arritje e madhe e futbollit në vend, por sa i nevojshëm ka qenë investimi në një teknologji kaq të avancuar duke i ditur kushtet e mjerueshme infrastrukturore në shumicën dërrmuese të stadiumeve në vend dhe sa i dobishëm ka qenë ai i përdorur në kushte kaq të pavolitshme?  

VAR-i nisi të përdorej në Superligën në fillim të këtij sezoni në shtator 2021 – tri vjet pasi ishte futur në futboll në pesë ligat kryesore evropiane – duke e bërë Kosovën njërën prej vendeve të para të rajonit që e futi në futboll përdorimin e kësaj teknologjie.

Parimet themelore: Thënë thjesht, VAR-i është teknologji që përdor kamera për t’i vëzhguar ndeshjet në stadium në mënyrë që t’i ndihmojë gjyqtarit të marrë vendime. Pamjet e xhiruara nga kamerat e shumta në stadium rishikohen nga një ekip i zyrtarëve të VAR-it, të cilët sipas nevojës, komunikojnë me gjyqtarin kryesor në fushë përmes radios.  

Por tani kur po bëhet pothuajse një sezon i plotë me VAR në Kosovë, përdorimi i tij në Superligë është krahasuar me parkimin e një makine luksoze, milionëshe, në oborrin e një shtëpie në shembje e sipër.

“Investimi në VAR ngjason me atë mendjen e shqiptarit mediokër që parkon Ferrarin në oborrin e shtëpisë që duket se është në rrezik me u shembë”, thotë për Gazetën Nacionale Taulant Dajaku, drejtori sportiv i Drenicës.

Vetëm një stadium në Kosovë i plotëson kushtet për përdorimin e teknologjisë VAR - stadiumi Fadil Vokrri në Prishtinë, ndërsa stadiumet e klubeve të tjera nuk ofrojnë as kushte themelore e lëre më për përdorimin e një teknologjie kaq të avancuar. Stadiumi i dy prej klubeve më të mëdha në vend, Dritës dhe Gjilanit, është cilësuar si punishte, pasi punimet për rindërtimin e tij janë duke u zvarritur me vite dhe përdorimi i VAR-it në të gjatë incidentit të dhunshëm në ndeshjen Gjilani – Ballkani në prill, vetëm sa dëshmoi çfarë është e nevojshme të investohet fillimisht në futbollin në vend.  

Dajaku, në stadiumin e klubit të të cilit është përdorur VAR-i në çdo ndeshje sivjet, e ka quajtur të pakuptimtë përdorimin e teknologjisë në këto kushte dhe thotë se beson se Federata e Futbollit e Kosovës ka mundur të investonte në plotësimin e kushteve thelbësore në stadiume në vend të investimit në VAR.

“Në kuptimin e avancimit, unë i përkrah zhvillimet në botën e futbollit dhe instalimi i VAR-it do të ishte i nevojshëm, por duke i parë problematikat tona thelbësore, mendoj se investimi në VAR është nonsens strategjik dhe kjo për një gjë lehtësisht të konstatueshme. Shumë fusha ku zhvillohet Superliga e Kosovës, jo vetëm që s’i plotësojnë kriteret, por me aq investim të shpenzuar në VAR, do të mund të sistemoheshin minimum 3 stadiume të Superligës dhe kështu do të kishim diçka që ofron hapësirë për zhvillim, e jo shpenzim për gjoja avancim, të cilin unë e cilësoj farsa e VAR-it në Kosovë.“

Sjellja e VAR-it mobil apo të lëvizshëm në Kosovë ka kushtuar 1.5 milionë euro me ndihmën e FIFA-s, sipas FFK-së, por kjo nuk është kostoja e vetme e VAR-it. Mirëmbajtja e VAR-it, udhëtimi i furgonëve, pagimi i gjyqtarëve dhe trajnimi i tyre për përdorimin e teknologjisë kërkojnë investim të vazhdueshëm.

FFK-ja nuk i është përgjigjur kërkesës së Gazetës Nacionale për qëndrimin e saj rreth VAR-it.

Trajneri Gani Sejdiu, i cili është pa klub tani për tani, mendon se futbolli në vend ka nevojë për investime në infrastrukturë para se të mendohet për teknologji të avancuar si VAR-i.

“VAR-i është i mirëseardhur kur gjërat janë në rend. Jo tani. A është momenti të kemi VAR tani kur nuk kemi infrastrukturë e gjëra të tjera, pajtohem që jo. VAR-i është i mirëseardhur nëse shkojmë me investime shkallë-shkallë, hap pas hapi, por ne gjithmonë iu shkojmë gjërave pa plan”, tha Sejdiu.

Ai shtoi: “Gjëja kryesore për ta ngritur cilësinë është investimi në infrastrukturë dhe në këtë aspekt ne nuk kemi bërë asgjë. Është mizerje të shohësh në TV VAR-in në stadiume të tilla. Vetëm stadiumet e Prishtinës [Fadil Vokrri] dhe i Llapit [Zahir Pajaziti] i plotësojnë kushtet për të luajtur futboll, jo për më shumë.”

Si funksionon VAR-i në Superligë dhe çfarë ndikimi ka pasur në referim deri tani

Në garën elitare kosovare – në të cilën marrin pjesë 10 ekipe dhe zhvillohen pesë ndeshje në javë – gjashtë kamera janë të instaluara në çdo stadium, derisa furgoni udhëton në çdo ndeshje. Tani për tani, FFK-ja gëzon vetëm tre furgonë, që nënkupton se VAR mund të ketë vetëm në tri ndeshje në të njëjtën kohë.

Pra, përveç se në Superligë nuk ekziston edhe teknologjia e vijës së portës, përmes së cilës gjyqtari e kupton në orën e tij nëse topi e kaluar apo jo vijën e portës, edhe VAR-i në përgjithësi është i mangët.

Në stadiumet evropiane përdoren së paku 30 kamera në çdo cep të fushës për VAR-in, për dallim nga stadiumet kosovare që përdorin vetëm gjashtë kamera.

Shefi i VAR-it në Kosovë, Visar Kastrati – i cili është gjyqtar i FIFA-s – nuk i është përgjigjur kërkesës së Nacionales për koment.

“Një nga arsyet pse mendoj se VAR-i nuk e arrin efektshmërinë në Kosovë është edhe çështja teknike e realizimit, sepse është diçka e vështirë dhe për pozicionet e fushave por edhe për teknikën e adaptuar që përdorin regjinë e zakonshme, edhe pse unë jam shumë i bindur që njerëzit që po punojnë në VAR po e bëjnë maksimumin e tyre”, nënvizoi Dajaku.

Ai beson se VAR-i i ka shtuar polemikat: “Dyshoj se VAR ka ndihmuar në shuarjen e disa polemikave, por dhe ka ndodhur që të hapë polemika më shumë.”

Për dallim nga Dajaku, Sejdiu beson se VAR-i i ka kufizuar gabimet e gjyqtarëve, edhe pse e pranon se dilemat në referim s’mund të hiqen kurrë.

“Vari ka pasur ndikim pozitiv, nëse jemi të sinqertë, sepse i ka kufizuar dilemat deri diku, edhe pse ende ka pakënaqësi. Pastaj varet se si interpretojnë atë [referimin me VAR]. Tash nëse i ka eliminuar plotësisht a jo, ne edhe në Evropë kemi raste diskutabile. Pastaj varet se si interpretohen ato nga të dy palët. Këto situata edhe në Evropë është e pamundur të zgjidhen 100%. Por Var-i i ka zvogëluar pakënaqësitë”, theksoi Sejdiu.

VAR-i i ka shtuar polemikat rreth referimit në Superligë, për shkak të mungesës së teknologjisë së duhur, në një rast në ndeshjen Ballkani – Prishtina, vija e pozitës jashtë loje nuk është bërë drejt në ekranin e VAR-it.

Po ashtu, një gjyqtari të VAR-it i është dashur shumë kohë për të vendosur për një rast të diskutueshëm, shpesh herë edhe deri në 10 minuta, duke e zgjatur një ndeshje 90-minutëshe në mbi 100 minuta.

Tjera nga autori:
1