S'ka më dilema, Kylian Mbappe do të qëndrojë te PSG - NACIONALE

S'ka më dilema, Kylian Mbappe do të qëndrojë te PSG

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi 23-vjeç francez, Kylian Mbappe, nuk do t'i ndajë rrugët me PSG për t'iu bashkuar Real Madridit. Një gjë të tillë e ka bërë të ditur me siguri të plotë Gianluca Di Marzio, eksperti italian i transferimit të lojtarëve. Kësisoj, sipas tij që sot mund të zyrtarizohet vendimi nga lojtari.

Odiseada rreth të ardhmës së Mbappes ka qenë e pafundme. Veçmas në javën e fundit janë intensifikuar zërat në lidhje me atë se çfarë vendimi do ta merrte sulmuesi i PSG, kur kemi parasysh faktin që në muajin qershor i skadon kontrata.

Sipas Sky Sport Italia, me në krye gazetarin Gianluca Di Marzio, Mbappe tashmë ka vendosur të qendrojë te skuadra parisiene.

"Vendimi është marrë pas ngjarjeve që rrodhën dje. Ndoshta vendimi i tij do të publikohet që sot, pas mbarimit të ndeshjes ndaj Metz që është në program me fillim në ora 21:. Mbappe rinovon me PSG dhe i thotë 'jo' Real Madridit, me të cilët që prej kohësh ishte në kontakt", nënvizoi Gianluca Di Marzio.

Sipas informatave të gazetarit italian, qëndrimi në kryeqytetin francez nuk është e ndërlidhur vetëm me përfitimet financiare.

"Për ta bindur Kylian që të qëndrojë te PSG kanë ndërhyrë shumë persona që janë të lidhur me të dhe familjen e tij. Persona që kanë qenë me ndikim qysh prej kohës kur ai kishte vendosur të kalonte nga Principata e Monakos te klubi parisien", shkruan Gianluca Di Marzio.

Shtypi spanjoll gjatë tërë këtyre orëve insistonte se 23-vjeçari do të përfundonte në rradhët e klubit mbretëror të Real Madridit, por siç duket gjërat do të shkojnë ndryshe.

Në anën tjetër, shtypi francez ishte më i rezervuar në raportimet rreth të ardhmes së tij. E përditshmja më e besueshme franceze, L'Equipe, në numrin e sotëm shkruante se si asnjë bashkëlojtar i Mbappes nuk ishte në dijeni për të ardhmen e tij. Në bazë të burimeve të tyre, përfaqësuesi francez është përkujdesur aq shumë që ta mbajë konfidencial vendimin e tij, aq sa edhe lojtarët tjerë të PSG janë në pritje njësoj sikur i gjithë opinioni futbolldashës botëror.

E ardhmja e tij ishte gjithnjë në faqet e para të gazetave ndërkombëtare. Rreth tij gjatë ditës së djeshme u deklarua edhe nëna e tij, Fayza.

“Ne kemi marrëveshje me Real Madridin dhe Paris Saint-Germainin. Kyliani do të vendosë tani”, tha Fayza për KoraPlus.

E pyetur se cili është dallimi mes ofertave të kampionit francez dhe atij spanjoll, ajo nënvizoi: “Dy ofertat nga PSG-ja dhe Real Madridi janë pothuajse të njëjta.”

“I takon Kylianit tani të vendosë”, shtoi ajo.

Kylian Mbappe individualisht ka pasur një sezon tjetër shumë të mirë me PSG. Ai ka shënuar 36 gola në 45 paraqitje në nivel klubi. Vetëm në Ligue 1 i ka shënuar 25 gola, duke kontribuar ndër të tjera edhe me plot 19 asiste tjera. Ai ka qenë i vetmi sulmues i PSG që nuk ishte cak i kontestimeve dhe fishkëllimave të publikut vendas, ndryshe nga Neymar dhe Messi.

Përgjithësisht, Mbappe te PSG gëzon bilanc tejet pozitiv. Ai iu bashkua klubit parisien në verën e vitit 2017 në formë huazimi me të drejtë të bleres së kartonit të tij për një shifër rreth 180 milionë eurove me bonuse. Ndërkohë, ai ka shënuar 168 gola në 216 paraqitje, duke shtuar edhe 87 asiste tjera.

Ndërkaq, me kombëtaren franceze luan prej pranverës së 2017, ku në 54 paraqitje ka spikatur me ndeshje të mira, duke qenë shpesh edhe vendimtar, me ç'rast ka shënuar 26 gola.

Lajme të ngjashme