<b></b> S'la shenjë te Kosova, Pajaziti drejt grumbullimit parasezonal me Fulhamin

S'la shenjë te Kosova, Pajaziti drejt grumbullimit parasezonal me Fulhamin

16.06.2022 21:00

Adrion Pajaziti ka qenë njëri prej lojtarëve që ishte pjesë fushatës kualifikuese të Kosovës U21 për Euro 2023. Ai nuk pati ndonjë shkëlqim të veçantë me dardanët e rinj, por tjetër vlerë paraqiti te klubi i tij, Fulham.

Shqipëria këmbëngulte ta kishte me grupmoshën U21 në rradhët e veta, por në fund përfundoi te Kosova. Fjala është për Adrion Pajazitin, mesfushorin qëndror të Fulham U23, i cili iu bashkua me shumë bujë shpresave dardane.

Në çdo rast, ai luajti vetëm tri herë me fanellën e Kombëtares në këtë periudhë një vjeçare gjersa u mbyllën kualifikimet dhe në shumicën e rasteve mungoi në listën e dy përzgjedhësve të Kosovës U21 që ishin gjatë në krye të stolit, Michael Nees dhe Albert Bunjaki. 

Edhe në ato ndeshje kur ka luajtur me Kosovën, nuk është se e ka shfaqur potencialin e tij më të mirë në fushë dhe atë për çfarë çmohet në Angli. Nuk është parë lider në fushë, e as lojtar që merr përsipër organizimin e lojës. Shkurtimisht, nuk ka lënë gjurmë.

Pavarësisht të gjitha këtyre të metave që janë evidentuar në kombëtare, Pajaziti ka vazhduar me një tjetër fytyrë të luajë me Fulham U23 në ligën e rezervave të Premierligës, aty ku ka bërë 42 paraqitje, duke regjistruar 2 gola dhe 2 asiste. Kjo ka bërë që trajneri portugez i skuadrës së parë të Fulham, Marco Silva, të mendojë ta ftojë në fazën parapërgatitore verore në prag të fillimit të edicionit të ri të Premierligës, i cili nis nga data 5 gusht. 

Madje, një gjë të tillë e kanë konfirmuar edhe burimet e ndryshme të afërta me lojtarin. Më herët edhe mediat e besueshme britanike kishin raportuar se Pajaziti nuk do të vendoset në listën e lojtarëve për t'u shitur, pasi do të kërkohet që t'i jepet edhe një rast, duke e grumbulluar me skuadrën e parë në seancat e para stërvitore të muajit korrik. Bashkë me të pritet të grumbullohen edhe Jay Stansfield dhe Luke Harris. Pastaj, pavarësisht përformancës dhe cilësisë që do ta tregojë, do të merret vendimi se si të procedohet mëtutje me mesfushorin kosovar.

 

 

Kosova shpeshherë është kritikuar nga opinioni vendor për ngurtësinë dhe shkurtpamësinë në qasjen me lojtarët e rinj, duke mos i afruar në momentet vendimtare kur ata janë në prag për ta bërë një hap tutje në karrierë. Kemi qenë dëshmitarë në disa raste se, kur një gjë e tillë ka ndodhur, pastaj Kombëtarja e Kosovës e ka pasur shumë të vështirë t'i afrojë të njëjtit lojtarë në gjirin e saj. 

Lista është e gjatë. Mund t'i përmendim disa sosh, por si shembuj mjaftojnë sulmuesit e rinj nga Gjermania, Bleron Krasniqi dhe Fisnik Asllani, të cilët ishin pjesë e grupmoshave të reja të Kosovës, por me ta bërë një kapërcim si futbollistë profesionistë, i kanë lënë gojëhapur zyrtarët e Federatës së Futbollit të Kosovës dhe vetë stafet teknike gjegjëse - duke mos i pranuar më ftesat për t'iu bashkuar Kosovës. 

Për këtë arsye edhe nevoja për të investuar në preventivë duket e pashmangshme. Edhe pse, për hir të vërtetës, sipas shumë informatave  të brendshme dhe ngjarjeve që kanë ndodhur, është më se e saktë të konstatohet se grupmoshat e reja janë baltosur e mosrespektuar, qoftë nga lojtarët e lindur në Kosovë, apo jashtë vendit.

Në rastin e Adrion Pajazitit ai nuk u ftua te Kosova U21 gjatë grumbullimit të fundit. Arsyet janë të paqarta nëse u referohemi intervistave dhe deklaratave për shtyp. Me këtë vështirë të besohet se me qëllim apo nënvetëdije është lënë anash, por një gjë mbetet e kristalët: sado që te Kosova nuk ka pasur rendimentin e duhur, është shumë afër të grumbullohet me lojtarë të stadit të Premierligës.

Kosovës nuk i konvenon të qëndrojë duarkryq dhe në pritje. Mbase, kjo situatë duhet vëzhguar me kujdes. Edhe ashtu mesfusha nuk është repart që premton shumë edhe te Kosova A. 

Tjera nga autori:
1