Superliga e mbyll sezonin me një luftë të madhe për mbijetesë - NACIONALE

Superliga e mbyll sezonin me një luftë të madhe për mbijetesë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjithçka që ka mbetur për të luftuar në ditën e fundit të sezonit 2021/22 në Superligë mbijetesa, me katër skuadra që rrezikojnë rënien në kategorinë e dytë.

Feronikeli dhe Ulpiana kanë rënë në Ligën e Parë tashmë dhe atyre mund t’iu bashkohet edhe një skuadër tjetër.

Malisheva e pret Dukagjinin në Stadiumin e Qytetit në Malishevë në një ndeshje vendimtare, kur të dy skuadrat synojnë ta shmangin rënien në kategorinë e dytë vetëm një sezoni pasi ishin promovuar.

Sado që ajo ndeshje mund të jetë goxha përcaktuese, rënien nga elita e rrezikojnë edhe Prishtina dhe Drenica.

Më së miri qëndron Dukagjini, i cili i ka 49 pikë në vendin e pestë, i ndjekur nga Prishtina me 48 dhe Drenica e Malisheva me nga 47 secila.

Prishtina do ta ketë një përballje më të vështirë, me Llapin, ndërsa nga të gjitha këto skuadra, në letër, përballjen më të lehtë do ta ketë Drenica, pasi takohet me Feronikelin.

Kampioni i sezonit të kaluar Prishtina mund të bjerë nga liga tamam në 100-vjetorin e klubit nëse mposhtet nga Llapi dhe Drenica e Malisheva i fitojnë përballjet e veta përkatëse.

Cilado nga këto skuadra që përfundon në vendin e tetë, do të përballet me Vushtrrinë e Ligës së Parë në një ndeshje finale për një vend në Superligë sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, kampioni i ri i Kosovës u caktua javë më parë, kur Ballkani e siguroi titullin e parë në historinë e klubit.

Klubi nga Suhareka do ta marrë trofeun e Superligës sot në një ceremoni pas ndeshjes me Gjilanin dhe pritet ta festojë atë edhe me një paradë me autobus nëpër qytet.

Gjilani, Drita dhe Llapi e siguruan nga një vend në kualifikime për Europa Conference League duke e mbyllur sezonin në top katërshe.

Lajme të ngjashme