Trajneri i parë i Zhegrovës, Hoxha: Edoni i driblon të gjithë or burrë, por tani le të punojë më shumë për ekipin - NACIONALE

Trajneri i parë i Zhegrovës, Hoxha: Edoni i driblon të gjithë or burrë, por tani le të punojë më shumë për ekipin

1 vit më parë

nga Ekrem Idrizi

Kur gjiganti italian Milan kishte ardhur në Prishtinë për ta mbajtur kampin e parë për talentet e rinj, të gjithë fëmijët i kishin veshur fanellat kuqezi tashmë, përveç njërit. Për ironinë e fatit, fanella e fundit do të vishej nga talenti më i madh dhe fituesi i atij kampi, Edon Zhegrova.

Sulmuesi i Lille dhe Kosovës e shfrytëzoi pushimin Prishtinë për ta vizituar trajnerin e vet të parë, Agim Hoxha, këtë javë, dhe për ta falënderuar për mësimin e hapave të parë të futbollit para rreth një dekade.

Hoxha e stërviti Zhegrovën për dy vite, atëherë 12 vjeç, në shkollën e futbollit të Flamurtarit në vitet 2011/12. Duke folur për Gazetën Nacionale, trajneri i fatosave nuk gjen fjalë për ta përshkruar ndjesinë e takimit me djaloshin e shndërruar në profesionist.

“Dje ishte hera e dytë që më viziton. Për mua ishte një ndjenjë që nuk mund ta përshkruaj. Edonin si fëmijë e kam dashur shumë dhe me atë që e kam ditur dhe që kam mundur kam punuar shumë me të, prandaj jam shumë i lumtur që ai ka arritur”, tha Hoxha.

Hoxha kurrë nuk e kishte parë një futbollist me talentin e 23-vjeçarit gjatë kohës së tij si futbollist dhe si trajner i fëmijëve. Ai kishte qenë aq i bindur se Zhegrova do t’ia dilte si futbollist profesionist në atë kohë, saqë u kishte thënë prindërve të tij se, nëse ai nuk do të arrinte në futbollin profesional, atëherë askush nuk do t’ia dilte. Ai kujton se dallimi në talent mes Zhegrovës dhe bashkëlojtarëve të tij ishte i jashtëzakonshëm

“Edoni ka pasur shumë dallim të madh me bashkëmoshatarët e vet. Për zotën, e dini, edhe vetë kam qenë futbollist por unë kurrë nuk kam parë fëmijë të tillë, ai ka qenë në gjendje t’i driblojë të gjithë o burrë. Talenti i tij në atë moshë ishte i jashtëzakonshëm. Iu pata thënë prindërve të tij, mund t’i pyesësh edhe vetë, që ky djalë do të shkojë shumë larg. Nëse ky nuk mund të luajë diku, atëherë unë nuk e di se kush mundet. Kaq të mëdha ishin bindjet e mia për të, sepse si fëmijë ai ka qenë i zoti në mbajtjen e topit”.

Në atë kohë, Hoxha beson, Zhegrova ishte talenti më i madh në Ballkan. Ai e dërgoi ish-sulmuesin e Baselit në kampin e parë dhe të vetëm të gjigantit italian Milan në Prishtinë në vitin 2012, ku Zhegrova mahniti aq shumë me talentin e tij saqë e fitoi nofkën “Messi i Kosovës”. Por gjërat kanë mundur të shkonin shumë më ndryshe sikur mos të ishte për fatin e tij të mirë.

“Kur erdhi kampi i klubit italian Milan në Prishtinë, unë nuk kisha qenë në dijeni, më thirri Edoni dhe më tha, ‘trajner unë nuk kam mundur të shkoj’. I thashë, ‘të çoj unë’. Shkuam të nesërmen dhe u futa në stadium, aty ishte trajneri dhe një përkthyes. Iu thashë atyre që e solla këtë djalosh dhe shikoni nëse keni parë ndonjëherë talent më të madh në Ballkan. Ai u ndal dhe më shikoi dhe pyeti ‘kush jeni ju?’. I tregova që isha trajneri i tij. Më kërkoi ta vishja me fanellë të kampit. Më kujtohet, për fatin e tij, vetëm një fanellë kishte mbetur. Ai u vesh dhe i thashë, ‘kur të dalësh në fushë luaj lirshëm dhe ti e di vetë çfarë të bësh’. Për zotën, kur nisi ai të luajë të gjithë 10 trajnerët u mblodhën rreth tij për ta shikuar. E quanin Messi. Për dore e kam çuar në kamp (qesh)”, kujton Hoxha.

Milani nuk nënshkroi me Zhegrovën pavarësisht se ai ishte dukshëm më i miri në kampin e klubit kuqezi dhe e zhvilloi një ndeshje miqësore në San Siron e famshme. Më pas, ai shkoi në prova në Standard Liege, ku nuk arriti të bindë, po ashtu.

Megjithatë, Zhegrova bindi në klubin belg Sint-Truiden, ku luajti për ekipin U21, para se Genku ta vërente më së miri talentin e tij dhe të nënshkruante me të si lojtar të lirë në vitin 2017.

Baseli e huazoi atë nga Genku në vitin 2019 para se ta blinte përfundimisht për 3 milionë euro në vitin 2020, ku Zhegrova shkëlqeu dhe mori vëmendjen e ish-kampionit francez Lille në janar të vitit 2022, i cili ia pagoi 7 milionë euro klubin zviceran për shërbimet e tij. Në 13 paraqitje në Ligue 1, kosovari i shënoi 3 gola dhe e dha një asist.

Zhegrova është kritikuar shumë, shpesh herë rëndë veçanërisht te Kosova, për mbajtje të tepruar të topit dhe për mungesë të lojës vetëmohuese.

Hoxha thotë se këtë gjë ai e ka bërë tërë jetën dhe se driblimi është arma e tij kryesore.

“Më thoshin pse po e lejoja ta mbajë topin shumë, unë iu thosha sepse kjo është arma e tij kryesore. Gjatë bisedës me të e këshillova të luajë më shpejt me topin dhe më thjesht”, tha Hoxha për takimin me të.

Zhegrova debutoi për Kosovën në mars të vitit 2018 dhe që prej atëherë i ka shënuar vetëm tri gola në 28 paraqitje në të gjitha garat. Por së fundmi, me ardhjen e trajnerit të ri Alain Giresse, 23-vjeçari e ka fituar vendin e titulluar në kombëtare këtë vit, para se të lëndohej.

Hoxha këmbëngul se stili i lojës se Zhegrovës nuk ka ndryshuar dhe thotë se goli i tij në fitoren 2:0 kundër Qipros në Ligën e Kombeve në qershor ia kujton kohën kur e kishte mësuar të driblojë duke mashtruar kundërshtarin me lëvizjet herë majtas herë djathtas.

“Stili i lojës dhe pozita në të cilën e luan tani ia kam ushtruar në stërvitje. Golin që e shënoi për Kosovën (kundër Qipros) që e bëri driblimin në zonë dhe shënoi në qosh, është diçka që e kemi ushtruar me mijëra herë në stërvitje. Unë e kam mësuar që kur të driblojë ta bëjë atë mashtrim djathtas-majtas. Këto gjëra i ka bërë si fëmijë”, kujton ai.

Hoxha e pranon se Zhegrova duhet të punojë më shumë për ekipin: “Por tani i duhet punë shumë. I duhet të luajë për grupin dhe të vrapojë më shumë. Tani është rritur dhe kërkesat janë më të mëdha”.

Lajme të ngjashme