<b></b> Tuchel për yllin e Chelseat: Nuk është hera e parë që ai refuzon të luajë pak para ndeshjes

Tuchel për yllin e Chelseat: Nuk është hera e parë që ai refuzon të luajë pak para ndeshjes

19.05.2022 10:30

Trajneri i Chelseat, Thomas Tuchel, ka thënë se Andreas Christensen njoftoi se nuk do të luante në finale të FA Cup mëngjesin e ditës së ndeshjes dhe se kjo nuk është hera e parë që mbrojtësi danez refuzon të luajë në një ndeshje.

Christensen, i cili nuk është i lënduar, pritej të luante titullar në finalen e së shtunës së kaluar në Wembley.

Duke folur të mërkurën, Tuchel tha se Christensen i kishte thënë mëngjesin e ditës së ndeshjes së nuk ishte i gatshëm të luante.

“Ai i kishte arsyet e veta”, tha Tuchel për danezin.

“Ato mbesin private dhe konfidenciale”.

Tuchel shtoi: “Por kjo nuk ishte hera e parë, sepse, siç mund ta shihni, në javët e fundit i kemi pasur disa situata të njëjta që ai nuk donte të luante rregullisht”.

“Ne mendonim se po bënim përparim dhe zhvillim të mirë sepse ai luajti shumë mirë kundër Leeds, një ditë para finales. Por ne biseduam dhe duhej ta respektonim atë dhe ai e ka përkrahjen tonë”.

Chelsea do të përballet sot me Leicesterin, në ndeshjen e parë që prej disfatës në finale kundër Liverpoolit.

Të kaltrit e kanë siguruar një vend në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm, por fitorja e mundshme ndaj Leicesterit do t’ia vuloste vendin e tretë në tabelë.

Christensen, 26-vjeçar, pritet të largohet nga Chelsea në verë, pasi ka arritur marrëveshje me Barcelonën.

I pyetur nëse Christensen ka mundësi të luajë kundër Leicesterit apo kundër Watfordit në ditën e fundit të sezonit në Premierligë të dielën, Tuchel tha se nuk është i sigurt.

“Nuk ka mundësi të kem parashikime për nesër apo për fundjavë”.

Tjera nga autori:
1