<b></b> UEFA e mbron Mbappen: Real Madridi s’mund të na tregojë çfarë të bëjmë

UEFA e mbron Mbappen: Real Madridi s’mund të na tregojë çfarë të bëjmë

25.05.2022 14:51

Real Madridi e asnjë klub tjetër nuk mund t’i tregojë UEFA-s së çfarë të bëjë, pas kritikave të mëdha ndaj Kylian Mbappes për vazhdimin e marrëveshjes me Paris Saint-Germainin, thotë presidenti i UEFA-s, Aleksander Ceferin.

Sulmuesi francez Mbappe nënshkroi marrëveshje të re luksoze në PSG, duke e hedhur poshtë ofertën e Real Madridit në çastet e fundit.

Pasi 23-vjeçari vendosi të qëndrojë në Paris, La Liga e quajti skandaloze ofertën e PSG-së për të.

Ceferin tha të mërkurën për BBC Sport se UEFA ka rregulla të ndershmërisë financiare të cilat janë goxha të rrepta.

“Kushdo që i respekton rregullat tona është i mirëseardhur të luajë në garat tona; kush nuk i respekton ato rregulla nuk do të luajë”, tha Ceferin.

“Shikoni, as Real Madridi e askush tjetër nuk mund t’i tregojë UEFA-s çfarë të bëjë. Ata janë thjesht të mllefosur dhe, sa e di unë, oferta e tyre ishte e njëjtë me të PSG-së”, shtoi ai.

Rregullat e ndershmërisë financiare të UEFA-s kanë për qëllim t’ua ndalojnë klubeve të mos shpenzojnë më shumë se sa fitojnë.

Javier Tebas, presidenti i La Ligës në Spanjë, e përshkroi ofertën e PSG-së për Mbappen si një fyerje ndaj futbollit dhe bëri me gisht drejt humbjeve financiare të klubit francez.

PSG-ja është në pronësi të grupit të Katarit për investime sportive, një fond i pasurisë sovrane i udhëhequr nga shteti i Katarit.

Ceferin, president i shtëpisë së futbollit evropian që nga viti 2016, thotë se është lodhur nga ankesat ndaj gatishmërisë së futbollit për të lejuar që klubet të jenë nën pronësinë shtetërore.

“E kam thënë shumë herë dhe do ta them prapë, ma thoni vetëm një argument më shumë pse klubet nuk duhet të udhëhiqen nga shteti”, tha Ceferin.

“Nëse thoni se klubet u takojnë tifozëve, a nuk mendoni se klubet e tjera angleze kanë pronarë – ato kanë pronarë nga Shtetet e Bashkuara, nga Lindja e Mesme, nga Anglia. Pra, është situata e njëjtë dhe unë jam vërtet i lodhur nga këto akuza pa ndonjë bazë konkrete.”

Tjera nga autori:
1