Ujkani ka harruar të luajë futboll për klub, por te Kosova luan para portierit më aktiv të Kombëtares - NACIONALE

Ujkani ka harruar të luajë futboll për klub, por te Kosova luan para portierit më aktiv të Kombëtares

1 vit më parë

nga Vivianit Gërguri

Samir Ujkani vijon të jetë zgjedhja e dytë në Kombëtaren e Kosovës dhe të luajë titullar sa herë që portieri i parë Arijanet Muric mungon, pavarësisht se 33-vjeçari ka harruar si është të qëndrojë në mes të shtyllave të portës për klubet e tij dhe kjo u vërejt në dy golat që ai i pranoi në fitoren e Kosovës kundër Irlandës Veriore të enjten.

Në dy sezonet e fundit, Ujkani e ka bërë vetëm një paraqitje për klubin e tij Empoli në Serie A.

Portieri i tretë i Kosovës, Visar Bekaj, është më aktivi ndër të gjithë në kampin dardan me 34 paraqitje për klubin e tij Tirana sezonin e kaluar, por ai gjithmonë injorohet.

Krahasimi Samir Ujkani - Visar Bekaj

Përderisa Samir Ujkani për tre vite me radhë nuk paraqitet asnjëherë me klubin e tij në ligë, ndërsa Visar Bekaj po bënë paraqitje të jashtëzakonshme tek skuadra e tij Tirana e i cili ka një vazhdueshmëri në çdo sezon.

Visar Bekaj në dy vitet e fundit ka 69 paraqitje në Superiore në 73 të luajtura në total, ndërsa Samir Ujkani në tre vitet e fundit ka dy paraqitje në Serie A dhe dy të tjera në Kupën italiane.

Së fundi Bekaj u shpall edhe portieri më i mirë në Superiore dhe ka një vlerën më të madhe nga portierët në Kampionatin shqiptarë, madje ka vlerë më të madhe edhe se vet Ujkani i cili paraqitet për skuadrën e Serie A-së.

Visar Bekaj së shpejti mund ta shohim në një nga ligat më të forta sepse pas dy sezoneve fantastike të kaluara në Shqipëri, skuadrat evropiane janë hedhur në gjah për ta grabitur.

Aftësitë e Ujkanit në portë

Ka një arsye se pse, Samir Ujkani, nuk paraqitet asnjëherë si zgjedhje e parë e që këtë mundësi më së shpeshti ia dhuron Kombëtarja e Kosovës.

Samir Ujkani ka probleme të theksuara në shumë elemente gjë që e bëjnë të mos konsiderohet si portier i parë. Së pari loja me këmbë që në futbollin modern për portierët është primare dhe Ujkanin çdo herë kur ta shohësh me topin në këmbë e sheh me një panik të pakuptueshme, pastaj është shumë i ngathët në hedhje e shpesh herë i vonuar, perceptimi i topit është një tjetër e metë e tij e cila u vu në pah në ndeshjen me Irlandën Veriore, në reflekse është i ngadaltë e një gjë të mirë që ka është komunikimi në fushë për të cilën nuk mund t’i mohohet por që është e pamjaftueshme që të paraqitet para një portieri që është aktiv tërë kohen dhe në të gjitha elementet e lojës qëndron më mirë.

Karriera e Samir Ujkanit ndër vite

Samir Ujkani, i lindur në një fshat të Vushtrrisë i quajtur Resnik e kishte fatin e mirë që nuk e kishin shumë prej talenteve të reja në Kosovë. Ai emigroi në moshë të re në Belgjikë ku edhe filloi gjithçka për të në futboll.

Ishte Ingelmunster skuadra e tij e parë në të cilën i mori hapat si portier e klub që i dha mundësinë e transferimit në një nga akademitë më të mira në botë atë kohë. Ai u transferua në Anderlecht, skuadër kjo që kishte një reputacion të madh sa i përket portierëve, ku edhe kishte nxjerrë portierin e madh belg, Jacques Munaron.

Gjithçka shkoi mirë për Ujkanin kur në derë i trokiti skuadra e madhe italiane, Palermo që atë kohë po bënte gara në Serie A. Vushtrriasi nënshkroi kontratë pesë vjeçare me klubin nga Serie A në vitin 2007, por që iu deshën plotë dy vite për të debutuar si profesionist. Deri në atë kohë konsiderohej si zgjedhje e tretë në golin e Palermos, e pastaj edhe si i dyti ku një lëndim i portierit të parë, Marco Amelia, gjatë ndeshjes kundër Milanit i dha minutat e para Samirit por që asgjë më shumë. Ai nuk u paraqit më në asnjë ndeshje deri në verën e vitin 2009 e kjo bëri që ai të dërgohej në huazim tek Novara e cila bënte gara në ligën e tretë italiane dhe lirisht mund të themi që vitet më të arta i kishte këtu, duke e ndihmuar skuadrën që së pari të ngjitej në Serie B e pastaj edhe në Serie A, gjithnjë si zgjedhje e parë.

Ishte pra Novara skuadra e parë e Ujkanit e cila e konsideroi si zgjedhjen e parë në gol duke bërë 24 paraqitje në Serie A gjatë sezonit 2011-12, sezon ky që bëri presidentin Zamparini ta rikthejë në Palermo si zgjedhjen e parë për 19 ndeshje por që atë sezon ranë nga Serie A e pastaj për të vazhduar gjithmonë karrierën si portier i dytë e në raste edhe si portier i tretë e kishte skuadra që e përjashtuan nga skuadra e parë për ta dërguar tek grupmoshat U21, si ajo turke Çaykur Rizespor.

Karriera e tij gjithmonë që nga viti 2014 pati uljet e veta duke mos u paraqitur më asnjëherë si portier i parë në Serie A apo nivelet e larta.

Që nga viti 2021 është pjesë e Empolit por që nuk ka pasur mundësinë të paraqitet në ndonjë ndeshje në Serie A por u paraqit vetëm në një ndeshje të kupës e në të cilën pranoi tre gola.

Paraqitja e tij e fundit në ligë daton që nga 21 maji i vitit 2021 kur u paraqit për Torinon në ndeshjen e fundit, pasi që kishte përfunduar gjithçka në kampionat.

Kontrata e tij me Empolin përfundon më 30 qershor të këtij viti, dhe mbetët të shihet se cila skuadër do ta konsiderojë si zgjedhje të dytë apo të tretë në vazhdim.

Skuadrat me të cilat ka luajtur Ujkani si profesionist janë: Palermo, Novara, Genoa, Chievo, Latina, Pisa, Cremonese, Çaykur Rizespor, Torino dhe Empoli. Në disa prej këtyre skuadrave nuk ka pasur paraqitje fare.

Lajme të ngjashme