<b></b> Valon Zumberi shumë shpejt pritet të bëhet pjesë e skuadrës së parë të Hamburgut

Valon Zumberi shumë shpejt pritet të bëhet pjesë e skuadrës së parë të Hamburgut

17.06.2022 18:01

Fjalë të mira për Valon Zumberin janë folur me bollëk, qoftë nga Gjermania ku aktivizohet te Hamburg apo nga zyrtarët e Kombëtareve zinxhir ku është aktivizuar me Kosovën. Tani ai është afër të kapërcejë në futbollin profesionist me skuadrën nga veriu i Gjermanisë. 

Ka qenë titullar i palëkundur te Kosova në të gjitha fazat në të cilat është kalitur si futbollist. Në shumicën e rasteve ka lënë përshtypje të mira, duke treguar edhe stabilitet në mbrojtje. Gjatë edicionit që lëmë pas, 2021/2022, mbrojtësi 19-vjeç luajti në ligën rajonale të veriut të Gjermanisë me fanellën e Hamburgut. Heraherës është grumbulluar edhe me skuadrën e parë të gjigantit gjerman. 

Në bazë të pritshmërive të vetë personave të afërt me Valonin dhe të lajmeve që vijnë nga Gjermania, tashmë pritet që ai jo do të marrë pjesë jo vetëm në fazën parasezonale me skuadrën e parë të Hamburgut, por ka indikacione të shumta që shpijnë deri te lajmi se ai do të jetë pjesë e organikës në edicionit që vjen, në cilësinë e lojtarit senior.

Klubi është duke u mobilizuar për t'ia paraqitur një ofertë, me të cilën do ta bindnin për ta rinovuar kontratën, e cila skadon në qershor të vitit të ardhshëm. Hamburg nuk dëshiron që t'i ikën nga duart mbrojtësi kosovar, pasi nga ekspertët e brendshëm të klubit ai llogaritet si lojtar premtues për të ardhmen dhe që do t'i bënte shumë favor skuadrës në vitet në vazhdim. 

Te Kosova roli i Zumberit ka qenë i rëndësishëm në të gjitha grupmoshat. Ai është treguar vazhdimisht besnik ndaj projektit të Kosovës, duke qenë pjesë e grupmoshave nga U16 deri në U21. Akoma, në bazë të moshës që ka, atij i garantohet edhe një fushatë tjetër kualifikuese me U21, ku stafi teknik gjegjës pritet t'i atribuojë më shumë përgjegjësi, pasi ai me Hotin do ta bartin barrën më të madhe në fushatën e ardhshme kualifikuese për Euro 2025 për grupmoshën U21 që nis nga viti i ardhshëm. 

Zumberi di të luajë në të gjitha skemat e mundshme. Te skuadra e tij, Hamburg, në përgjithësi luan me mbrojtjen e vendosur me 4, ndërsa te Kosova diçka e tillë është alternuar herë me 3, e herë tjera me 4, por në fund të ditës nuk është se kemi mundur të vërejmë ndonjë dallim tek ai, pasi ka ruajtur formën konstante.

Përveç aftësive të tij mbrojtëse, ai di të vë në pah edhe dhuntinë në pozicionimin e duhur gjatë ndërprerjeve në sulm, duke u shfaqur shpeshherë i rrezikshëm para portës kundërshtare, i ndihmuar shumë edhe nga shtatlartësia prej 188 cm që ka. 

Si mbrojtës korpulent dhe mbi të gjitha bashkëkohor, i cili di të manovrojë përpara edhe me topin në pronësi, ka kaluar të gjitha etapat e mundshme drejt këtij stadi, ku shumë shpejt pritet të konfirmohet në skuadrën e parë të Hamburg për edicionin 2022/2023. Ky do të ishte qendërmbrojtësi i parë i Kosovës që do të luante në Bundesliga II, pasi Leart Paqarada dhe mbrojtësit tjerë që kishin luajtur në të kaluarën, kanë qenë lojtarë krahu dhe jo të qendrës së mbrojtjes. Në një kampionat të hapur, pa shumë kalkulime siç është ai i Bundesliga II, sfida për qendërmbrojtësit është e sfilitëse. Në rastin e Valonit mbetet për t'u parë se cila do të kishte me qenë përshtatja e tij në një futboll ku akoma praktikisht s'ka shkelur këmbë: në atë senior.

 

Tjera nga autori:
1