<b></b> Vedat Muriqi i vendosur për ta shpëtuar Mallorcan

Vedat Muriqi i vendosur për ta shpëtuar Mallorcan

16.05.2022 10:31

Vedat Muriqi është i vendosur për ta shpëtuar Mallorcan nga rënia prej La Ligës në ditën e fundit të sezonit javën e ardhshme, pasi shënoi në fitoren 2:1 kundër Rayo Vallecanos të dielën.

Muriqi e shënoi golin e parë të Mallorcas – i cili ishte i pesti për skuadrën e tij këtë vit – në fitoren e mundimshme kundër Vallecanos, e cila ia mban gjallë shpresat për mbijetesë në ligën elitare spanjolle.

Në ditën e fundit të sezonit të dielën e ardhshme, Mallorca do të përballet me Osasunan në udhëtim, e vetëdijshme se disfata apo barazimi mund të nënkuptojnë rënie në kategorinë e dytë.

Kjo për shkak se Cadizi, i cili është në zonën e rënies nga liga, ka pikë të barabarta, 36, me të, dhe përballet Alavesin – klubin më të dobët në ligë këtë sezon i cili është përshëndetur nga La Liga tashmë.

Në një reagim në rrjetin social Instagram, Muriqi u zotua se nuk do të heqin dorë nga lufta për mbijetesë deri në fund.

“Ne do të luftojmë deri në fund”, shkroi Muriqi në përshkrimin e një fotografie ku shihet duke e festuar golin kundër Vallecanos.

Muriqi ka qenë njeriu kryesor i Mallorcas në vitin 2022 duke u përfshirë në shtatë gola, 5 gola dhe 2 asiste, më shumë se çdo bashkëlojtar i veti këtë vit.

Përfaqësuesi i Kosovës iu bashkua Mallorcas në janar nga Lazio në një marrëveshje huazimi gjashtëmujor dhe pritet të kthehet në kryeqytetin italian në fund qershorit.

Por 28-vjeçari nuk dëshiron të largohet nga ishulli ka e përmbushur misionin e tij, shpëtimin e Mallorcas nga rënia në kategorinë e dytë të futbollit spanjoll.

Prizrenasi e ka rigjetur formën e vet më të mirë që prej se iu bashkua Mallorcas në fillim të këtij viti, pasi kaloi nëpër një periudhe tejet zhgënjyese në Serie A. Ai do të shpresojë se forma e mirë në fanellën e klubit spanjoll do t’i ndihmojë për të ardhmen.   

Mallorca ka lënë të kuptohet se, nëse mbetet në La Liga, do të ulet për të biseduar me Lazion për blerjen e sulmuesit kosovar.

Mallorca e ka mundësinë në marrëveshjen me Lazion për ta blerë Muriqin për 12 milionë euro, por kjo shifër duket e lartë për klubin spanjoll. Ndërkohë, Lazio nuk dëshiron ta lëshojë atë për ndonjë çmim më të ulët, duke ditur se në vitin 2020 i pagoi 20 milionë euro për ta blerë atë nga Fenerbahce.

Tjera nga autori:
1