Vedat Muriqi shtysë për Mallorcan në betejën e saj për mbijetesë - NACIONALE

Vedat Muriqi shtysë për Mallorcan në betejën e saj për mbijetesë

1 vit më parë

nga NACIONALE

Sulmuesi prizrenas ishte lider për ekipin ishullor spanjoll në fundjavën që lëmë pas. Me golin që shënoi, ndihmoi skuadrën në betejën e saj parësore për ta siguruar mbijetesën në La Liga. Përtej faktit se çfarë do të sjellë e ardhmja e tij e afërt, nëse do të qëndrojë apo jo te Mallorca, ai ka qenë përcaktues në shumë faza të kampionatit, për t'i dhënë pikë kyçe skuadrës së tij. Goli me peshë që shënoi, bën që ai të llogaritet si dardani më i veçuar.

Humbja turpëruese e quajtur nga shumë media spanjolle në ndeshjen direkte përballë Granadas dhjetë ditë më parë me rezultat 2:6, bëri që t'i ndërlikoheshin tej mase punët Mallorcas në garën për ta shmangur rënien nga liga.

Pastaj, gjërat rrodhën ndryshe. Barazimi në Ramón Sánchez-Pizjuán me rezultat 0:0 dhe fitorja në fundjavën që shkoi ndaj Vallecanos, ringjallen shpresat e skuadrës së udhëhequr nga trajneri meksikan Aguirre.

Në të dy rastet, hisedar në rezultatet dhe sukseset e ekipit, ishte Vedat Muriqi. Sulmuesi kosovar luftoi shumë përballë Sevillas dhe bëri detyrën ndaj Vallecanos, duke shënuar golin e epërsisë, me rezultatin që në fund u mbyll me shifrat 2:1.

Me 5 gola të realizuar në 15 paraqitje në La Liga, ai e ka përmirësuar ndjeshëm edhe efikasitetin para portës. Tanimë ka një statistikë ku ka shënuar në 33% të rasteve kur ka luajtur në kampionatin spanjoll. Janë shifra shpresëdhënëse, sepse nëse bëhet një paralele me sezonet e tij të kaluara, atëherë del që është afër nivelit të dikurshëm. Mbase, edhe më mirë se aq, sepse në Turqi në dy sezone kishte arritur shifrën e një goli në dy ndeshje, kurse tani marshon në një gol në tri ndeshje, veçse diçka e tillë vjen në një kampionat që është disa herë më cilësor sesa ai turk ku luante më herët.

Pra, më mirë se kaq ishte vështirë t'i kërkohej Muriqit, aq më shumë pasi vinte nga dy sezone tej mase të shterrpta në Lazio, ku ishte numër, jo lojtar.

Përformanca në ndeshjen ndaj Vallecanos

Muriqi e nisi mirë ndeshjen. Ishte i pranishëm që në aksionet e para të ndërtuara nga Mallorca. Kryesisht pjesa e parë u koncentrua me pasimet e gjata në drejtim të tij, ku ai përkujdesej që ta shtynte përpara skuadrën.

Meqë ndeshja nuk jepte shumë hapësira për manovrime të shpeshta drejt sulmit, edhe paraqitja e Muriqit u veçua më shumë te aftësia në pozicionim sesa që pati shumë kontakt me topin në zona të rrezikshme.

Mirëpo, sulmuesit i jepet besimi për të shënuar gol dhe për ta zhbllokuar rezultatin në ndeshjet përcaktuese. Diçka të tillë e bëri Muriqi, kur finalizoi për mrekulli harkimin e Juan Costa në minutën e 13-të të takimit, duke tundur rrjetën.

Në vijim të ndeshjes, Muriqi luftoi fort në çdo cep të gjysmëfushës kundërshtare, për të ushtruar presion dhe udhëhequr bashkëlojtarët drejt rekuperimit të topave.

Në pjesën e dytë ndryshoi pozitën me Angel, por moduli i lojës së skuadrës mbeti i njëjti. Muriqi kaloi nga pozita e qendërsulmuesit të djathtë, në atë të majtë, pasi mbrojtësi i krahut të djathtë të Vallecanos, Ivan, filloi të rrezikonte me disa avancime me topin në këmbë, ku me ç'rast prodhoi disa harkime. Në këtë kontekst, trajneri Aguirre ia besoi Muriqit detyrën për të ushtruar presion drejt Ivan sa herë që ai ishte në posedim me topin, në mënyrë që të mos ia bënte të lehtë daljen përpara.

Një taktikë që rezultoi e suksesshme, meqë veçmas në gjysmë orëshin e fundit, Muriqi intensifikoi duelet me Ivan dhe Mario Hernandez që mbulonin krahun e djathtë të Vallecanos, kësisoj duke i dhënë shumë rehati Jaume Costas me dyfishime.

Në fund me sakrificë dhe shumë përkushtim, Vedati me shokë iu gëzuan fitores së çmuar ndaj Vallecanos.

Të dielën zhvillohet java e fundit e kampionatit spanjoll, aty ku Mallorca do të luajë në udhëtim ndaj Osasunas. Me një fitore, ata do ta siguronin mbetjen në ligë, pavarësisht rezultatit që do të korrte Cadice në fushën e Alaves.

Këto të dy skuadra ndajnë pikët e njëjta, 36 sosh, duke u pozicionuar në vendin e 17-të, respektivisht të 18-tin.

Lajme të ngjashme