<b></b> Warriors dhe Miami fitojnë ndeshjet e para finale, Curry e Butler të pandalshëm

Warriors dhe Miami fitojnë ndeshjet e para finale, Curry e Butler të pandalshëm

19.05.2022 12:54

Dje është zhvilluar edhe finalja e parë në konferencën perëndimore, ku Golden State Warriors e mposhti bindshëm Dallas Mavericks me rezultat 112:87

Një ditë më parë ishte zhvilluar edhe finalja e parë në konferencën lindore, ndërmjet Miami Heat e Boston Celtics, dhe përfundoi me fitoren e skuadrës nga Miami me një paraqitje të jashtëzakonshme të Jimmy Butler.

Ndeshjen e nisi shumë më mirë Bostoni e cila në dy çerekët e parë po fitonte dhe në pushim shkoi me epërsi të tetë pikëve, por pika e kthesës ishte në çerekun e tretë ku Heats ishin të papërmbajtshëm, ku shënuan plotë 39 pikë dhe me një mbrojtje të fortë të aplikuar nga djemtë e Erik Spoelstras pranuan vetëm 14 pikë, për të shkuar +17 pikë në çerekun e fundit të ndeshjes.

Bostoni u mundua të kthehej në ndeshje gjatë çerekut të katërt, në të cilin fituan por që nuk ishte e mjaftueshme për të përmbysur rezultatin. Çereku i katërt përfundoi 31:25 për Bostonin e që në fund dha rezultatin final të fitores së Miamit me epërsi +11, pra 118:107.

Në këtë ndeshje për Miamin shkëlqeu, Jimmy Butler i cili shënoi 41 pikë si dhe ndihmoi me nëntë rebounds, pesë asiste, katër topa të vjedhur dhe tri bllokada. Në 41 pikë që shënoi, 17 ishin nga gjuajtjet e lira me saktësi prej 94% në atë distancë, ndërsa 24 pikë tjera nga distanca për dy pikë me saktësi 70% apo 12 shënime nga 17 sa gjuajti. Ndihmë i dha edhe Tyler Herro dhe Gabe Vincent me nga 18 dhe 17 pikë respektivisht.

Tek Boston paraqitje të mirë patën Jayson Tatum me 29 pikë, Jaylen Brown me 24 pikë dhe Robert Williams e Payton Pritchard me nga 18 pikë, por që me mungesën e Al Horford e Marcus Smart nuk arritën të bënin më shumë.

Finalja e dytë ndërmjet këtyre dyjave zhvillohet në mëngjesin e së premtes.

Ndeshja që u zhvillua sot në mëngjesin e hershëm mes Golden State Warriors e Dallas Mavericks dha përfundimin që pritej, sepse Warriors ndeshjet në shtëpi i ka në qejf.

Kjo ndeshje shkoi mirë për Warriorsat në çdo aspekt të lojës, dhe përveç në çerekun e dytë që Mavericks e fituan me një pikë epërsi, në të gjithë çerekët tjerë dominues ishte Stephen Curry me shokë.

Të gjithë lojtarët që filluan ndeshjen nga skuadra vendase, shënuan pikë dyshifrore e pikë dyshifrore shënuan edhe dy lojtarë nga banka rezervë.

Më i miri i ndeshjes ishte si gjithnjë Stephen Curry me 21 pikë, 12 rebounds dhe katër asiste, por la për të dëshiruar në gjuajtjet për tre pikë me vetëm tri shënime nga nëntë tentime apo me përqindje 33%.

Ndihmë i dha edhe Andrew Wiggins e Jordan Poole me nga 19 pikë të dytë e Klay Thompson me 15 pikë.

Tek Dallasi nuk ishte asnjë i disponuar për lojë, dhe kur Luka Doncic dështon të lej mbresa edhe nga lojtarët rreth tij nuk pritët më shumë.

Luka Doncic shënoi 20 pikë me një saktësi 33% apo gjashtë shënime nga 18 tentime, statistikë kjo që tregon se ai nuk ishte në natën më të mirë të tijen.

Ndeshja e dytë finale në konferencën perëndimore zhvillohet në mëngjesin e së shtunës.

Edhe në ndeshjet e dyta skuadra mikpritëse do të jenë Golden State Warriors e Miami Heat në konferencat respektive.   

Tjera nga autori:
1