<b></b> Warriors triumfon në ndeshjen e pestë, tani shumë afër titullit të shtatë në histori të klubit

Warriors triumfon në ndeshjen e pestë, tani shumë afër titullit të shtatë në histori të klubit

14.06.2022 11:02

Golden State Warriors kanë shënuar një fitore shumë të rëndësishme në rrugën për ta fituar finalen e madhe të NBA, pasi që mposhtën në ndeshjen e pestë Boston Celtics me rezultat 104:94, dhe seria tani shkon në 3:2 në të mirë të ‘Luftëtarëve’

Nëse do të shikohej para dy ndeshjeve, askush nuk do ta mendonte se Warriors do të ktheheshin në lojë e lëre më të kryesonte me fitore në seri, pasi që ishte duke humbur 2:1.

Ishte Andrew Wiggins ai që me paraqitjen e tij më të mirë në tetë vite karrierë e mundësoi këtë fitore, por që u ndihmua edhe nga shokët e tjerë të skuadrës.

Ndeshja e zhvilluar në Chase Arena i takoi në tërësi Luftëtarëve duke e fituar ndeshjen pothuajse në çdo periodë të takimit.

Çereku i parë i ndeshjes ishte indikacion se kush do të triumfonte në takimin e pestë, një paraqitje mbresëlënëse ekipore nga skuadra e Steve Kerr, si në mbrojtje ashtu edhe në sulm bëri që qysh në këtë çerek ta krijonte një epërsi prej 11 pikëve.

Perioda e dytë e takimit ishte më balancuese, sulm joefikas nga të dyja skuadrat e që në pushimin mes dy pjesëve shkuan me rezultat 51:39, pra +12 pikë epërsi për Warriors.

Në 12-minutëshin e tretë ndodhi diçka që ndodhë rrallë herë për skuadrën e Steve Kerr, po shkatërroheshin në anën defensive nga Celtics e si rrallë herë e humbën këtë çerek duke u futur në vështirësi të madhe, pasi që rezultati u afrua në vetëm një pikë.

Ndonëse me shumë mund, Warriors arritën ta fitonin çerekun e katërt dhe ta fitonin ndeshjen që i shpie në vetëm një ndeshje afër për të triumfuar për herë të shtatë në histori. Kjo periodë përfundoi me epërsi +9 pikë për të dhënë epilogun final 104:94.

Siç edhe u cek më lartë, më i miri në ndeshje ishte Andrew Wiggins që nga shumë njohës po shihet si paraqitja më e mirë në karrierën e tij. Ai shënoi 26 pikë dhe kontribuoi në 13 rebounds, dy asiste, dy topa të vjedhur dhe një bllokadë. Diçka që la mbresa ishte saktësia në distancën për dy pikë ku shënoi 12 nga 17 tentimet apo përkthyer në përqindje 70.6%. ndihmë të madhe mori edhe nga Klay Thompson e Stephen Curry të cilët shënuan nga 21 dhe 16 pikë respektivisht.

Te Boston Celtics më i miri ishte si gjithnjë Jayson Tatum, me paraqitje solide prej 27 pikësh, 10 rebounds dhe katër asistime dhe një saktësi nga distanca për dy dhe tre pikë prej 50% apo 10 shënime nga 20 tentime. Kësaj paraqitje të Tatum ia ndihmuan edhe Marcus Smart e Jaylen Brown me nga 20 dhe 18 pikë respektivisht, por që ishte e pamjaftueshme që të arrinin një fitore.

Ndeshja e gjashtë zhvillohet më 17 qershor në TD Garden, aty ku mund të shpallet kampioni i ri e në rast të kundërt do të kemi ndeshje të shtatë e cila do ta përcaktonte medoemos kampionin për sezonin 2021-22.

Ndeshjen e përmbledhur mund ta shikoni këtu:

Tjera nga autori:
1